Nishani: Njohja e Kosovës nga Vatikani i shërben paqes në rajon

15:33/ 05 Shtator 2016 / Sakte.net

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, në kuadrin e pjesëmarrjes në ceremonitë e zhvilluara në Vatikan për shenjtërimin e Nënë Terezës, u takua edhe me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardinalin Pietro Parolin, si dhe ndoqi Meshën e Falënderimeve të kryesuar nga Kardinali, për Nënë Terezën, vetëm një ditë pas shpalljes si Shenjtore.

Duke u ndalur në çështjen e Kosovës, Nishani vlerësoi vëmendjen e veçantë që Selia e Shenjtë i kushton marrëdhënieve me Kosovën dhe duke vlerësuar gjithashtu procesin e negociatave dhe të pajtimit mes Kosovës dhe Serbisë, shprehu besimin se shumë shpejt edhe Selia e Shenjtë do të marrë një vendim për njohjen e pavarësisë së saj, në shërbim të mëtejshëm të paqes dhe sigurisë në rajonin e Ballkanit dhe Evropës Juglindore.

Nga ana e tij, Kardinali Parolin vlerësoi harmoninë fetare në Shqipëri, duke e konsideruar si një shembull të shkëlqyer për një Evropë pluraliste dhe multikulturore, si dhe e siguroi Nishanin për vijimin e vëmendjes së Selisë së Shenjtë ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Kreu i Shtetit bashkëbisedoi me Kardinalin Parolin edhe për zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe në Bashkimin Evropian, duke theksuar rolin e Shqipërisë në rajon dhe duke evidentuar progresin e bërë në rrugën e afrimit me Bashkimin Evropian.

“Jemi të ndërgjegjshëm për sfidat serioze me të cilat përballet sot Unioni, por ne jemi të vendosur për të vijuar me reformat e nevojshme që do t’i mundësojnë vendit integrimin në Bashkimin Evropian, i cili mbetet projekti më madhor aktual i shqiptarëve”, u shpreh Presidenti i Shqipërisë.

Më pas, Presidenti Nishani ndoqi Meshën e Falënderimit për nder të Shën Terezës së Kalkutës, të zhvilluar në Bazilikën e Shën Pjetrit, ku ishin të pranishëm qindra pelegrinë shqiptarë dhe nga e gjithë bota.