Një armë kundër kancerit, si funksionon terapia me rreze

Gjatë radioterapisë ushqyerja në mënyrë të shëndetshme ndihmon organizmin të rigjenerojë qelizat normale, jep energji dhe ndikon në rritjen e imunitetit të pacientit. Ndaj është e rëndësishme që të hahet nga pak dhe shpesh, të përdoret dieta të lëngshme në pacientët me probleme në gëlltitje, të evitohet alkooli dhe duhani

Në ditët e sotme, me avancimin e teknologjisë në fushën e radioterapisë, për shumë lloje kanceresh trajtimi është më preciz, duke u shoqëruar me më pak efekte anësore për indet përreth dhe duke ruajtur organet e shëndetshme. Në luftën kundër kancerit një armë e rëndësishme është edhe terapia me rreze X, radioterapia. Doktoreshë Fatjona Kraja, mjeke Onkologe-Radioterapeute në Shërbimin Onkologjik në QSUT, në një intervistë për “Mapo” thotë se përveç teknikës 3DCRT (3 Dimensional Radiotherapy) që përdorej më parë, prej 6 muajsh përdoret trajtimi me teknikën IMRT (Intensity Modulated Radiotherapy). “Kjo teknikë”- shpjegon doktoresha – “bën të mundur një konformim më të mirë të dozës së radioterapisë lidhur me tumorin por dhe siguron një mbrojtje të lartë të organeve në risk”. Onkologia-Radioterapeute, Kraja sqaron se trajtimi me radioterapi është i padhimbshëm, realizohet nëpërmjet dozave të vogla çdo ditë dhe mund të kryhet ambulatorisht. Në varësi të problematikës shëndetësore të pacientit, radioterapia mund të jetë trajtim i vetëm por në shumicën e rasteve ai është i kombinuar me trajtime të tjera siç janë kimioterapia dhe kirurgjia. Megjithatë në çdo rast, sqaron doktoresha, mënyra e kryerjes së kësaj terapie bëhet pas kryerjes së konsultës mjekësore.

Çfarë është radioterapia? Kur duhet t’i nënshtrohemi dhe si vepron ajo mbi llojet e tumoreve?

Radioterapia e njohur si trajtimi me rreze, përdor rrezet X për të vrarë qelizat tumorale dhe për të ndaluar zhvillimin e tyre. Radioterapia është një trajtim efektiv dhe i sigurt për shumë lloje të tumoreve. Afërsisht gjysma e pacientëve me kancer përfitojnë nga trajtimi me radioterapi me qëllim kurues ose për lehtësim të simptomave dhe përmirësim të cilësisë së jetës. Trajtimi me radioterapi mund të jetë trajtim i vetëm por në shumicën e rasteve ai është i kombinuar me trajtime të tjera siç janë kimioterapia dhe kirurgjia. Radioterapia është trajtim lokal i tumorit dhe është i ndryshëm për çdo pacient. Trajtimi me radioterapi varet nga disa faktorë, siç janë gjendja e përgjithshme e pacientit dhe preferencat e tij personale të trajtimit: tipi i tumorit, përmasat dhe lokalizimi i tij; nga fakti nëse tumori është përhapur në organe të tjera dhe nga qëllimi i trajtimit nëse ka qëllim kurativ apo për qetësim të simptomatologjisë, në këtë rast quhet trajtim paliativ; dhe nëse trajtimi me radioterapi do të jetë i vetëm ose i kombinuar me trajtime të tjera.

Si funksionon ky trajtim, kur i nënshtrohen radioterapisë interne dhe eksterne?

Trajtimi me radioterapi është i padhembshëm dhe realizohet nëpërmjet dozave të vogla çdo ditë. Radioterapi eksterne EBRT realizohet nëpërmjet burimeve të radioterapisë jashtë trupit të pacientit. Ajo realizohet nëpërmjet rrezatimit X me energji të lartë që prodhohet nga akseleratorët linear.

Aktualisht në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” përveç teknikës 3DCRT (3 Dimensional Radiotherapy) që përdorej më parë, prej 6 muajsh përdoret trajtim me teknikën IMRT (Intensity Modulatëd Radiotherapy). Një teknikë kjo e cila bën të mundur një konformim më të mirë të dozës së radioterapisë lidhur me tumorin por dhe siguron një mbrojtje të lartë të organeve në risk. Një formë tjetër e rrezatimit të jashtëm është dhe rrezatimi sipërfaqësor, i cili përdor rrezatim me rreze X me energji të ulët ose elektronet për të trajtuar kancerin e lëkurës. Alternativa të tjera të rrezatimit të jashtëm janë dhe protonterapia dhe rrezatimi me jone karboni të cilat nuk aplikohen në vendin tonë, madje dhe në Europë aplikohen në një numër të kufizuar qendrash radioterapie. Radioterapia interne ose ndryshe njihet si Brakiterapia është përdorimi i burimit ose lëndës radioaktivë në brendësi të kavitetit të trupit ku lokalizohet tumori.

Sa zgjat trajtimi dhe çfarë rreziqesh përballet pacienti? Cilat janë efektet anësore?

Trajtimi përgjithësisht kryhet çdo ditë (nga e hëna në të premte) për disa javë. Pjesa më e madhe e pacientëve e kryejnë trajtimin ambulatorisht (jo të hospitalizuar) duke mos shkaktuar dhimbje dhe nuk kërkon hospitalizim (shtrim në spital). Çdo seancë radioterapie zgjat nga 15 minuta deri 30 minuta, kjo varet dhe nga teknika e trajtimit dhe përfshin dhe kohën e përgatitjes dhe pozicionimit të pacientit. Zakonisht nuk kryhet trajtim me radioterapi në ditët e fundjavave, festave zyrtare dhe ditëve të planifikuara të mirëmbajtjes së aparateve të radioterapisë. Efektet anësore gjatë trajtimit shfaqen sepse trajtimi me radioterapi përveç qelizave tumorale dëmton dhe indet e shëndosha në afërsi të zonës së trajtimit. Në ditët e sotme, me avancimin e teknologjisë në fushën e radioterapisë, trajtimi është më preciz duke u shoqëruar më me pak efekte anësore për indet përreth. Grada e efekteve anësore nuk është e njëjtë te të gjithë pacientët. Efektet anësore shfaqen kryesisht gjatë javës së dytë ose të tretë të trajtimit. Radioterapia është një trajtim lokal dhe efektet anësore shfaqen në zonën e trajtimit, p.sh. në tumoret e kokës efektet anësore janë: tharje e gojës, stomatite nga radioterapia, vështirësi në gëlltitje, ngurtësim të nofullës, nauze, ënjtje lokale e zonës së rrezatimit etj. Në radioterapinë në toraks efektet anësore janë: vështirësi në gëlltitje, vështirësi në frymëmarrje, kollë, fibrozë nga radioterapia e cila është një efekt i përhershëm në zonën e pulmonit që i është nënshtruar trajtimit me radioterapi. Gjatë trajtimit me radioterapi në zonën abdominale efektet anësore më të shpeshta janë: nauze, të vjella dhe diarreja. Në radioterapinë e pelvisit efektet anësore më të shpeshta janë: diarreja, gjakrrjedhje rektale, inkontinecë urinare, irritim i vezikës urinare. Pra, efektet anësore varen nga lokalizimi i tumorit dhe ato ndahen në efekte akute, subakute dhe kronike. Ndër efektet anësore akute më të shpeshta të radioterapisë janë : problemet në lëkurë si p.sh, skuqje, tharje e lëkurës, kruarje ose deskuamim i lëkurës, por këto efekte largohen disa javë pas përfundimit të trajtimit me radioterapi dhe dobësia trupore ose lodhja janë efekte të shpeshta të trajtimit, por shkalla e tyre varet dhe nga trajtime të tjera që pacienti mund të marrë të kombinuar me radioterapinë. Ndër efektet e vona është rreziku i zhvillimit të një kanceri të dytë.

Gjatë trajtimit me radioterapi a mundet të vazhdojnë edhe punën?

Nëse pacienti mund të vazhdoj punën ose jo gjatë trajtimit me radioterapi varet nga shumë faktor siç janë gjendja e përgjithshme e pacientit, lloji i tumorit dhe stadi i sëmundjes dhe nga specifikat e punës që pacienti kryen. Shumica e pacientëve e kryejnë trajtimin ambulatorisht dhe një pjesë e tyre vazhdon aktivitetin e përditshëm dhe gjatë trajtimit me radioterapi. Mjeku, në varësi të stadit të sëmundjes dhe gjendjes së përgjithshme të pacientit sugjeron kufizime të aktivitetit të përditshëm.

A ndikon ushqyerja dhe cilat janë rekomandimet tuaja?

Ushqyerja është një element i rëndësishëm i jetës, i trajtimit të kancerit, rikuperimit dhe parandalimit. Qelizat normale ashtu si qelizat tumorale dëmtohen gjatë radioterapisë. Ushqyerja në mënyrë të shëndetshme ndihmon organizmin të rigjenerojë qelizat normale, jep energji dhe ndikon në rritjen e imunitetit të pacientit. Rekomandohen dieta hiperkalorike dhe të pasura në proteina. Është ë rëndësishme që të hahet nga pak dhe shpesh, të përdoren dieta të lëngshme në pacientet me probleme në gëlltitje, të evitohet alkooli dhe duhani. Ushqyerja është mjaft e rëndësishme gjatë trajtimit me radioterapi pasi plani i trajtimit është specifik sipas masës dhe formës trupore të çdo pacienti, dhe lëvizjet në peshë mund të kërkojnë që të bëhet një plan trajtimi i ri.

Çfarë duhet të pyesin mjekun para dhe pas përfundimit terapisë?

Pacienti i cili planifikohet të trajtohet me radioterapi, fillimisht i duhet shpjeguar sëmundja dhe stadi i saj, alternativat e trajtimit, informacion mbi trajtimin me radioterapi, të informohet rreth efekteve anësore akute dhe të vona dhe kujdesin lidhur me ushqyerje gjatë trajtimit. Në përfundim të trajtimit pacienti duhet të informohet lidhur me shkallën e efekteve nga trajtimi dhe kujdesi për to, të informohet për trajtimin e mëtejshëm ose ndjekjen që duhet të kryhet në vazhdim. Kanceri klasifikohet nga OBSH në grupin e sëmundjeve jo të transmetueshme kronike dhe si të tilla ai ka nevojë për ndjekje dhe kontrolle periodike.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme