Njësitet speciale malazeze blindojnë me armatim kufirin me Kosovën

Njësitet speciale malazeze kanë filluar të vënë artileri të rënda armatimi në kufirin Mali i Zi – Kosovë, shkruan Vijesti portal me bazë në Podgoricë, duke cituar burime të sigurisë, transmeton portali Sakte.net

Pjesëtarët e Njësisë Speciale Anti – terroriste kanë filluar vendosjen e artilerive në kufirin që ndan Malin e Zi me Kosovën nga frika e konflikteve të mundshme pohojnë këto burime.

Forcat speciale kanë deklaruar se ky vendim që është marrë në nivelin më të lartë, pasi shërbimet e sigurisë janë informuar se ekzistojnë parakushte për një përshkallëzim të mundshëm të situatës në Kosovë që mund të nxitet nga kundërshtarët e marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi.

“Të armatosur me pushkë dhe automatikë forcat speciale tashmë janë hyrë në zonën e ndërmjetme kufitare ndërsa baza e artilerive të rënda është vendosur në kullat e vrojtimit. Patrullime të shumta janë vënë re edhe përgjatë rrugës Rozhajë –  Pejë ku shihen policë të armatosur deri në dhëmbë”, shkruan Vjesti, transmeton Sakte.net

Përfaqësuesit e opozitës kosovare thonë se Kosova është dëmtuar me marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Janë paralajmëruar edhe protesta me datën 1 shtator kur në Kuvendin e Kosovës do të jetë në rendin e ditës ratifikimi i kësaj marrëveshjeje. /Sakte.net