Opozita ‘armatoset’ kundër Asociacionit dhe Demarkacionit

Partitë opozitare paralajmërojnë rezistencë të fortë për të mos lejuar kalimin në Kuvend të Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, si dhe themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Ato thonë se nëse këto marrëveshje sillen në Kuvend do të rikthehet edhe gazi lotsjellës, shkruan sot, gazeta “Zeri”.

Megjithatë, partnerët e koalicionit qeverisës këmbëngulin se këto marrëveshje do të miratohen në Kuvend.

Bajram Gecaj, këshilltar i kryeministrit Isa Mustafa, ka deklaruar për gazetën “Zëri” se Kosova e ka për obligim ta themelojë Asociacionin.

“Ne e kemi obligim ligjor themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumice Serbe. Prandaj do të themelohet në harmoni me ligjin e vitit 2013 dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Gecaj, duke shpresuar “se opozita është mbushur mend dhe nuk do t’i kthehet metodave primitive të politikëbërjes”.

“Të shpresojmë se janë mbushur mend e nuk do t’i kthehen metodave të tilla primitive”, ka deklaruar Gecaj. /Zëri/