Opozita kosovare i thotë JO Bidenit

Thirrja e Zëvendëspresidentit amerikan Joe Biden për të ratifikuar marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi dhe të krijimi Asociacionit të Komunave serbe në Kosovë, duket se nuk ka ndryshuar qëndrimin e partive opozitare.

Përfaqësues të Vetëvendosjes, AAK-së e Nismës për Kosovën kanë dhënë  sërish qëndrime tashmë të njohura lidhur me këto çështje.

Zëdhënësi i Vetëvendosjes, Frashër Krasniqi, ka thënë se Biden do të qëndrojë në Kosovë vetëm dy ditë “ndërsa këto projekte kanë pasoja jashtëzakonisht të dëmshme për territorin dhe Republikën e Kosovës.”  Në anën tjetër, Ardian Gjini nga AAK ka thënë se nuk është kundër marrëveshjeve, porse jo në këtë format. Ai i ka thënë televizionit Klan se “dilemat janë se si duhet të krijohet ai asociacion”.

Demarkacioni me Malin e Zi do të votohet më 1 shtator në Kuvendin e Kosovës.  Opozita ka paralajmëruar protesta ndërsa edhe disa deputetë nga kampi qeveritar kanë thënë se nuk do të votojnë këtë marrëveshje.