OVL-UÇK revoltohet me Thaçin: I dekorove kundërshtarët e shtetit!

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka reaguar kundër veprimeve që Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi ka bërë në rastin e dekorimeve me rastin e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Sipas tyre, presidenti ka dekoruar një numër të madh të personaliteteve me rastin e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, madje edhe njerëz dhe institucione që kanë qenë kundër shtetit, kurse jo edhe Organizatën e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Sjellja e këtillë tregon joseriozitetin e institucioneve tona shtetërore dhe të njerëzve që janë në krye të tyre, të cilët duket asnjë punë nuk i qasen me përgjegjësinë dhe seriozitetin e duhur.  Me udhëheqës të tillë, që janë pushtetarë, e jo shtetarë, Kosova po stagnon në ndërtimin e shtetësisë së saj”, thuhet në reagimin e nënshkruar nga Hysni Gucati.