Pakënaqësi brenda qeverisjes në Prishtinë

Pos kritikave opozitare e qytetare nga jashtë, pakënaqësi janë shfaqur edhe brenda ekzekutivit të Komunës së Prishtinës.

“Kemi harruar kur kemi mbajtur mbledhje të bordit të drejtorëve”, ka thënë për KTV-në, prapa kamerës, një prej drejtorëve komunalë.

Mosmbajtja e rregullt e takimeve të kryetarit me drejtorët është konfirmuar edhe nga një tjetër drejtor i qeverisjes së Shpend Ahmetit.

Por, ky i fundit thotë se mbledhjet e Këshillit të Drejtorëve nuk janë obligim ligjor.

I pari i kryeqytetit thotë se prej ndarjes nga Vetëvendosja, ka pasur tentime të thuhet se qeverisja e tij ka ndryshuar.

Megjithatë, ai thotë se mbledhjet joformale po vazhdojnë, ndonëse më rrallë sesa mandatin e kaluar.

Se kryetari nuk ka obligim ligjor për mbledhjen e drejtorëve në baza javore, e thonë edhe monitorues të punës së komunës.

Megjithatë, mosmbajtjen e tyre në Iniciativën për Progres e shohin si keqmenaxhim.

“Prishtina është prioritet” është fraza që Ahmeti e ka përsëritur shumë herë gjatë vitit të fundit, por zgjedhja e tij në krye të Partisë Socialdemokrate e ka zvogëluar kohën e qëndrimit në zyrën e tij në komunë.

Ky takim i tij në Tiranë, me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, si i pari i partisë, bashkë me Visar Ymerin e Aida Dërgutin, është vetëm një prej udhëtimeve të tij jashtë vendit gjatë ditëve të punës.

Përkundër kësaj, Shpend Ahmeti thotë se komuna është prioritet, porse angazhimin për të 100 për qind e sheh si të pamundur.

Vite më parë, për t’iu përkushtuar qeverisjes në kryeqytet, Ahmeti pati dhënë dorëheqje nga pozita e nënkryetarit në Lëvizjen Vetëvendosje.

Ndërsa, para se ta merrte drejtimin e Prishtinës, ai kishte kritikuar pararendësin, ish-kryetarin Isa Mustafa, se e kishte lënë pas dore komunën, duke u marrë me partinë.

Lini Një Koment