Paratë publike u përdorën për librin biografik për Thaçin

Komisioni Hetimor Parlamentar, në raportin e hartuar në lidhje me shpenzimet për lobim nga ana e Presidencës dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, e të cilin do t’ia paraqesë Kuvendit të Kosovës për shqyrtim, ka konstatuar se dy institucionet shtetërore, Presidenca dhe Qeveria, duhet të hetohen nga organet kompetente shtetërore për shkak të obstruksioneve në lidhje me mos-publikimin e dokumenteve të plota gjatë hetimit për kontratat për lobim.

Në pjesën e dytë të raportit, të cilin e ka siguruar Koha.net, Komisioni konstaton se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka shfrytëzuar fondet publike të dedikuara për lobim për të promovuar librin e tij biografik.

Raporti i Kontratës me “Alston & Bird”, ai i muajit korrik 2017, ishte i interesit të veçantë për punën dhe qëllimin e Komisionit Hetimor Parlamentar.

“Në bazë të dokumenteve të prezantuara nga MPJ drejt Komisionit Hetimor Parlamentar, më 18 korrik të vitit 2017, Kompania ‘Alston & Bird’ ka dërguar faturën e punëve të kryera për muajin paraprak, pra qershor të vitit 2017. Fatura ka numrin 10900XXX. Ka titullin ‘Strategic Advice and Counsel’. Ka datë 18 korrik, 2017. Ka numrin e klientit: 065XXX. Ka numrin e lëndës 10900XXX. Shuma e faturës në fjalë është 65,000.00 dollarë. Në përshkrimin e punëve nga kompania, ndër të tjera, thuhet se ‘Senator Dole edited and revised his foreword to President Thaçi’s upcoming book’. Përkthyer në shqip, ‘Senatori Dole, ka edituar dhe reviduar fjalën e tij hyrëse në librin e ardhshëm të Presidentit Thaçi’”, thotë raporti i Komisionit Hetimor Parlamentar për shpenzimet për lobim.

Ndërkaq, po sipas raportit të siguruar nga Koha.net, pjesë e dokumentacionit të muajit korrik është edhe konfirmimi nga Ambasada e Kosovës në Washington, përkatësisht nga ambasadorja Vlora Çitaku, drejtuar MPJ-së, si konfirmim se kompania në fjalë ka kryer obligimet sipas kontratës.

“Konfirmoj se shërbimet e kompanisë lobuese ‘Alston & Bird’, që janë cekur në dokumentin e bashkëlidhur, janë përmbushur për muajin qershor 2017. Ju litem gjithashtu të bashkëngjitur e gjeni edhe faturën për periudhën në fjalë”, është thënë në konfirmimin e Ambasadës së Kosovës në Washington drejtuar MPJ-së së Kosovës.

Sipas raportit të Komisionit, fatura në fjalë është dëshmi se “fondet e kontratës me ‘Alston & Bird’ janë përdorur për promovim personal; saktësisht për shkrimin e parathënies së librit të z. Hashim Thaçi”.

Në lidhje me faturën në fjalë, Komisioni Hetimor Parlamentar ka intervistuar ministrin e Jashtëm gjatë kohës kur është dorëzuar fatura, Enver Hoxhajn.

“Ish-ministri, gjatë dëshmisë, ka deklaruar se nuk i ka parë të gjitha raportet e dorëzuara nga kompania ‘Alston & Bird’. Komisioni Hetimor Parlamentar ka intervistuar edhe ambasadoren Çitaku; njëkohësisht Menaxhere e Kontratës me ‘Alston & Bird’. Znj. Çitaku, në intervistën e datës 9.11.2018, ka deklaruar se pjesa e shkrimit të parathënies është bërë ‘pro bono’ nga Senatori Bob Dole. E njëjta ka prezantuar edhe një dokument ‘post festum’ nga ‘Alston & Bird’, më 9 nëntor 2018, që deklaron se puna për librin e Presidentit Thaçi nuk është bërë si pjesë e kontratës me Qeverinë e Kosovës”, thuhet në raportin e Komisionit.

Ndërkaq, Komisioni në raport tregon edhe për shqetësimet e ngritura edhe nga avokati Geoffrey Nice, në lidhje me shfrytëzimin e fondeve publike për shkrimin e librit të Presidentit Thaçi.

“Shfrytëzimi i fondeve publike për shkrimin e librit të Presidentit Thaçi është ngritur edhe nga avokati Nice në letrën dërguar Qeverisë së Kosovës. Në letrën në fjalë, avokati Nice tregon se me kërkesë ka qenë i angazhuar në asistimin e autorëve të librit të Presidentit”, thuhet më tej në raportin e Komisionit, duke iu referuar një pjese të një citati nga letra e tij drejtuar Qeverisë,.

“Gjithsesi, Komisioni Hetimor Parlamentar konstaton se në kohën e pagesës së faturës për ‘Alston & Bird’, puna e bërë është faturuar dhe është paguar nga fondet e lobimit, pra nga Qeveria e Kosovës; siç dëshmon dosja e prezantuar në komision; dhe se dokumentacioni i prodhuar ‘post festum’ nuk zhvlerëson pagesën e korrikut 2017. Për më tepër, shfrytëzimi i fondeve të lobimit për çështje që lidhen me biografinë e z. Thaçi përmenden edhe në letrën e Avokatit Nice dërguar zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës”, thekson raporti i Komisionit Hetimor Parlamentar.

Së këndejmi, Komisioni ka ftuar organet kompetente të Shtetit të hetojnë pagesën në fjalë mbi bazën e dyshimeve se fondet e lobimit janë përdorur për promovime personale, më saktësisht, për shkrimin e një pjese të librit të Presidentit Hashim Thaçi.

Në vazhdim, Koha.net do të publikojë edhe të dhëna tjera që Komisioni Hetimor Parlamentar ka gjetur në lidhje me keqpërdorimin e fondeve të Qeverisë të dedikuara për lobim.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme