Pas 20 viteve i papunë, Donika Kadaj Bujupi e rehaton burrin në Telekom

Bashkëshortit të Donika Kadaj Bujupit pas 20 viteve i është ndërruar statusi i punës. Nga i papunë në agjent të shitjes në Telekomin e Kosovës.

Kjo u bë vetëm pak muaj pasi deputetja Kadaj Bujupi u rikthye sërish në partinë e kryeministrit Ramush Haradinaj nga Lëvizja Vetëvendosje, në mars të vitit të kaluar [2018].

KTV sot raportoi se burri i Donika Kadaj Bujupit, Naser Bujupi ka nisur punën në Telekom që nga 1 gushti i vitit 2018 si agjent i shitjes.

Këtë pozitë ai e kishte siguruar pas 20 viteve status si i papunë.

Donika Kadaj Bujupi ka thënë se bashkëshorti i saj është jurist, teksa aludonte se ai meriton pozitën e re në të cilën është emëruar.

Por, ajo nuk ka komentuar fare emërimin e tij shkaku i fuqisë politike të saj si deputete e një partie që aktualisht është pjesë e koalicionit qeverisës.

Përveç punësimit të burrit të Donika Kadaj Bujupit, sot u raportua edhe për punësimin e djalit të deputetit tjetër të kësaj partie, Muharrem Nitajt, në pozitën e zyrtarit të marketingut.

Kështu përveç privilegjeve që ua ofron pozita e të qenit deputetë në Kuvendin e Kosovës, shumë prej tyre, kryesisht ata që janë në pushtet, shfrytëzojnë autoritetin për të punësuar familjarë nëpër institucionet publike.

Sipas një raporti zyrtar të Telekomit, 234 persona janë punësuar në periudhën shkurt 2018- 2019.

Në total, Telekomi ka 2 mijë e 540 punëtorë, për dallim prej 2 mijë e 295 sa kishte në vitin 2016.

Lini Një Koment