Pas dështimit për liberalizimin e vizave, kërkohet shuarja e Ministrisë së Integrimeve

Dështimi në liberalizim të vizave dhe mos arritjen e përmbushjes së qëllimeve që është krijuar Ministria e Integrimeve Evropiane, ka bërë që të konsiderohet se vazhdimi i punës së kësaj ministrie është vetëm shpenzim i panevojshëm i buxhetit të shtetit.

Të paktën kështu thotë Arton Demhasaj nga organizata joqeveritare “Çohu”.

Ai ka dyshime se pse kjo Ministri duhet të ekzistojë, sipas tij, mos arritja e qëllimeve në fokuset që i ka pasur duhet të jetë një reflektim që të vendoset se kompetencat e proceseve integruese në BE, të barten në një departament të veçantë brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Demhasaj, konsideron se përderisa Kosova nuk është askund në procese eurointegruese, kjo Ministri është e panevojshme.

“Kosova nuk është askund në procese euro integruese, as nuk ka aplikuar, për vend kandidat është shumë larg proceseve integruese, vetëm një marrëveshje ka nënshkruar Kosova me BE-në, që është MSA-ja dhe nuk ka qenë e nevojshme që të krijohet kjo ministri për shkak se punët që i kryen ajo ka mundur t’i  kryer një departament brenda një ministrie ekzistuese ose brenda qeverisë, zyrës kryeministrit… Pa nevojë me u krijuar një ministri që shpenzon buxhet për shkak se ka ministren, zëvendës ministra, plotë staf që në një mënyrë paguhen nga buxheti i Kosovës dhe mund të jetë një shpenzim i kotë i buxhetit të Kosovës”, thotë  Demhasaj.

Mirëpo, më e ashpër ndaj ministres së Integrimeve, Dhurata Hoxha është shprehur, deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli-Dalipi.

Sipas saj, ministrja Hoxha duhet të jap dorëheqje sa më shpejt të jetë e mundur, sepse siç thotë ka dështuar.

Përkundër kësaj, Pacolli-Dalipi  tha se duhet një analizë më e thellë për të parë a duhet apo jo që kjo Ministri të shuhet dhe të vendoset në një departament tjetër brenda MPJ-së.

“Problemi është tek njerëzit që po e udhëheqin tani për tani, masat urgjente tani duhet të merren  tek njerëzit. Ministrja duhet të jap dorëheqje sa më shpejtë që të jetë e mundur, ka dështuar…kemi njerëz të korruptuar të cilët e udhëheqin këtë vend, kemi njerëz që nuk mbajnë përgjegjësi për dështimet konkrete. Dështoj me liberalizimin duhet me dhënë dorëheqje ministrja”, tha për KosovaPress Pacolli-Dalipi.

Ndërsa, njohësi i rrethanave ndërkombëtare, Arben Fetoshi është shprehur më skeptik se bartja e dikastereve të integrimeve brenda MPJ-së është zgjidhja ideale.

Përkundër  mospajtimeve mbi qasjen e kësaj ministrie mbi çështjen e liberalizimit të vizave, Fetoshi deklaron se roli i Ministrisë së Integrimeve Evropiane është jetik për shtetin e Kosovës.

Sipas tij, vendosja brenda një dikasteri të veçantë do të dërgonte një sinjal jo të mirë tek shtetet e BE-së.

“Ministria e Integrimeve Evropiane i duhet Qeverisë së Republikës së Kosovës. Zvogëlimi eventual i saj në një departament, do të dërgonte një sinjal jo të mirë në kuadër të përkushtimit të Kosovës në rrugën e integrimit evropian…. Roli i Ministrisë së Integrimeve Evropiane është i jashtëzakonshëm, është jetik, shumë i rëndësishëm në pikëpamje të koordinimit, organizimit, mbikëqyrjes dhe sqarimit profesional të të gjitha aspekteve dhe sfidave që e karakterizojnë procesin e integrimit evropian”, thotë  Fetoshi.

Ministria e Integrimeve Evropiane është themeluar në prill të vitit 2010 me qëllim siç është thënë të promovojë integrimin ekonomik dhe rajonal, si dhe të sjellë Kosovën më afër Evropës./

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme