Pas murit

Kemi humbur tre vjet, po e humbim dhe të katërtin në tema të mëdha që s’përmirësojnë as vendet e punës për ne, as kujdesin shëndetësor në vend, as shkollat e fëmijëve tanë që ende recitojnë përmendsh. Dhe përderisa humbim kohë, një mur shumë më i madh, shumë më i gjerë, shumë më i rëndë, vazhdon të qëndrojë përpara nesh. Muri i lëvizjes së lirë sot është rreth Kosovës gjithandej

-1-

Tashmë është më se evidente se serbët e veriut të Kosovës po insistojnë në ndarjen e qytetit të tyre – me çdo kusht – nga pjesa tjetër jugore. Thënë më saktë, serbët e atjeshëm po mbajnë gjallë ndarjen e nisur qysh nga viti 1999. Ndarja kishte nisur fillimisht nëpërmjet ushtarëve të trupave paqeruajtëse të vënë saktësisht mbi urë. Kur ushtarët u hoqën, serbët lokalë vendosën barrikada prej dheu. Kur një mbrëmje barrikadat u larguan, mëngjesi na gjeti me park paqeje mu mbi urë. Kur parku u hoq e ura u rinovua, u ndërtua një mur. Kur muri u rrëzua, nisi ndërtimi i një sheshi. Pra, në 17 vjet kohë ka ndryshuar vetëm ligjshmëria e mbylljes dhe e ndarjes. Ndarja është bërë më e ligjshme, më e sofistikuar, më e bukur në mes të shëmtisë. Megjithatë, ajo mbetet ndarje.

Bërja e sheshit – pas murit të paligjshëm, parkut absurd, e barrikadave prej dheut – është punë e ligjshme. Autoritetet lokale atje kanë secilën të drejtë ligjore të vendosin mbi sheshet e tyre; njëjtë siç, le të themi, ka Prishtina të drejtën e mbylljes së rrugës qendrore për krijim shëtitoreje e sheshi. Në vija argumentuese si këto, vështirë mund të kundërargumentohet.

Por,ama, ligjshmëria e akteve të tyre s’e zbut qëllimin e ndarjes. Dhe mu në një model të tillë rrumbullakohet i gjithë ndikimi që komuniteti pakicë serb ka sot mbi Kosovën. Duke shfrytëzuar privilegjet ligjore që iu jep shteti i Kosovës, të njëjtët refuzojnë të punojnë për shtetin e Kosovës. Duke zgjedhur përparësitë e duke injoruar obligimet shtetformuese, ata bëjnë politikë kundërshtetforumuese; herë me ndarje, herë me provokime, herë me bllokime. Sikur shteti është meny prej ushqimi nga e cila zgjedh pjata për qejfi; refuzon ato që s’ti ka ënda.

-2-

Në këtë qasje të tyre ndodhet edhe kërkesa për asociacion. Nga kërcënimi për bërje të tij, deri tek qëllimi përfundimtar i pasjes së tij. Pra, sot, s’kërkohet asociacioni për të avancuar pozitën e komunitetit pakicë në vend, por kërkohet për të penguar konsolidimin e Kosovës si shtet.

Në po të njëjtën frymë e në po të njëjtin stil menaxhohet dhe çështja e formimit të ushtrisë së Kosovës. Serbët lokalë i shfrytëzojnë mekanizmat kushtetues të shumicës minoritare, për të bllokuar formësimin e plotë të shtetit tonë nëpërmjet themelimit të ushtrisë. Pra, bëjnë lojë me dy standarde. Zgjedhin të drejta për të ushtruar ndikime të padrejta ndaj shtetit që u jep këto të drejta.

Përballë një politike të tillë mbetet fare e parëndësishme dërgimi i dy-tre zyrtarëve doganorë në veri, apo pjesëmarrja në zgjedhje parlamentare e nacionale. Është misioni destruktiv që fshihet përtej shfaqjeve si këto, çfarë njëmend ka rëndësi. Dhe një model i tillë, fatkeqësisht, s’ka për të qenë i qëndrueshëm as për ta e as për të tjerët në Kosovë. Një model i tillë ka për t’i ndarë dhe më shumë – në vija etnike – shqiptarët dhe serbët në Kosovë.

Shqiptarët e Kosovës kanë secilin interes të bashkëjetojnë mirë me serbët lokalë, me bashkëqytetarët e tyre. Konfliktet ndëretnike primitive janë gjëja e fundit që na duhen si shoqëri. Por komuniteti ndërkombëtar s’ka të drejtë të kërkojë nga ne më shumë. Shqiptarët e Kosovës, megjithatë, kanë hequr dorë nga shumë të drejta të shumicës. Kanë bërë një shtet në dizajn për të gjithë; një Kushtetutë me të drejta minoritare më shumë se secila kushtetutë e secilit vend tjetër në rajon e më shumë; kanë ofruar dhe liri të shprehjes, të gjuhës zyrtare e të pozitave të privilegjuara publike. Në kthim po marrin provokim, si një urë e një mur, një refuzim për ushtri, e një mbledhje qeveritare në Beograd dhe jo në Prishtinë. Është koha që serbët lokalë të shtyhen drejt pranimit të bashkëjetesës këndej.

-3-

Këtë shtyrje mund ta bëjë vetëm bashkësia ndërkombëtare vendimmarrëse në rajon; e njëjta që ka rrugën e Serbisë drejt BE-së në dorë. Ajo duhet të ndalojë përfundimisht ndikimin e Serbisë këndej. Serbia po bëhet pengesë shoqërore e jona sa herë që e do këtë. Ajo po arrin me pak provokim të mbajë një vend e një popull të tërë në ankth; të zënë në diskutime konsumuese e përçarëse. Herë me një tren, herë me një mur. Dhe jo pak nga politikëbërësit tanë po kërkojnë një provokim të tillë. Në të njëjtin, ata shesin kartën e vetëm që kanë – pasigurinë.

Komuniteti ndërkombëtar duhet ta kuptojë se parandalimi i Serbisë dhe i provokimeve të saja do të çlirojnë qytetarët shumicë – shqiptarët, të cilët kanë kohë që merren krejt me tema të mëdha. E është e kotë, e padobishme – çmenduri – të merremi një vend i tanë me një mur. Siç ka qenë e padobishme të kalonim gjithë kohën në 2014-n me bllokadë institucionale; gjithë 2015-n me asociacion; e gjithë 2016-n me demarkacion. Kemi humbur tre vjet, po e humbim dhe të katërtin në tema të mëdha që nuk i përmirësojnë as vendet e punës për ne, as kujdesin shëndetësor në vend, as shkollat e fëmijëve tanë që ende recitojnë përmendsh.

Pra, komuniteti ndërkombëtar duhet të parandalojë ndërtimin e mureve të tjera nga Serbia; qoftë nëpërmjet asociacionit jokushtetues, qoftë nëpërmjet refuzimit të bërjes së ushtrisë; qoftë nëpërmjet mosnjohjes së Kosovës si shtet nga shfrytëzuesit e privilegjeve të shtetit.

Mbi të gjitha, komuniteti ndërkombëtar duhet të heqë dhe murin e vet. Një mur shumë më i madh, shumë më i gjerë, shumë më i rëndë, vazhdon të qëndrojë përpara nesh. Muri i lëvizjes së lirë sot është rreth Kosovës gjithandej. Qytetarët tanë vazhdojnë të shfaqen para rendeve të gjata nëpër ambasada. Vazhdojnë të humbin mundësitë për një jetë më të mirë, për studime, për bërje biznesi, për lëvizje. Ky është problemi ynë njëmend. Ky është muri që duhet thyer sa më shpejt.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme