Pas taksës, Thaçi e Vuçiq përplasen edhe për Asociacionin e urën e Ibrit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai Serbisë, Aleksander Vuçiq janë përplasur edhe për Asociacionin në Forumin e Sigurisë në Bratisllavë të Sllovakisë.

Thaçi fillimisht ka thënë se Serbia nuk e ka zbatuar marrëveshjen e Brukselit për energjinë, shkruan lajmi.net.

Presidenti po ashtu ka thënë se Serbia e ka ndaluar edhe hapjen e urës mbi Ibër që për rrjedhojë do të kishte edhe bashkimin e Mitrovicës.

“Serbia nuk e ka zbatuar marrëveshjen për energjinë, menaxhimin e integruar të kufirit, ka ndaluar hapjen e urës në Mitrovicë për të mundësuar bashkimin e qytetit. Sa i përket Asociacionit, ne e kemi zbatuar pjesërisht sepse e kemi themeluar ekipin për hartimin e statutit, mirëpo nuk është finalizuar sepse ne nuk mund t’i shtyejmë ata me zor që të kryejnë punët e tyre”, ka thënë fillimisht Thaçi.

E menjëherë pas kësaj, është përgjigjur homologu i tij serb.

Ai ka thyënë se askund në marrëveshjen e Brukselit nuk shkruan diçka për temat e përmendura nga Thaçi.

Sipas tij, presidenti i Kosovës i ka ndryshuar deklaratat për Asociacionin e Komunave Serbe.

“Thaçi tha se ne nuk kemi bërë përpjekje për zbatimin e marrëveshjes për energjinë dhe urën në Mitrovicë. Në marrëeshjen e Brukselit nuk shkruan asgjë për to. Ura në Mitrovicë dhe IBM nuk  përmenden në marrëveshjen e Brukselit. Dy ditë më parë tha se nuk e zbatoi marrëveshjen për Asociacionin, dhe tani thotë ndryshe”, ka thënë Vuçiq.

Në fund, presidenti Thaçi ka thënë se marrëveshja e Asocacionit do të zbatohet duke e respektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Ne do ta zbatojmë atë marrëveshje bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë ai.

Forumi i Sigurisë në Bratisllavë ka vazhduar me panelistë të tjerë të cilët do të diskutojnë për Ballkanin Përendimor.

E më herët në këtë Forum ka pasur edhe përplasje tjera, për të cilat lajmi.net ka raportuar në vazhdimësi.

Lini Një Koment