Pasi ia refuzoi pagën me rritje Ministri Hamza, Haradinaj i thotë a po don me u tregu burr i mirë a?

Kryeministri Ramush Haradinaj, është deklaruar pas vendimit të Ministrit të Financave, Bedri Hamzës, i cili ka vendosur të mos e marrë pagën me rritje, njofton Gazeta Blic.

Haradinaj është shprehur se edhe ai mund të bëjë një refuzim të tillë, por kjo nuk tregon ndonjë vlerë.

“Tash me kallxu burrninë mos me marrë pagën mund edhe unë, nuk është aty vlera e tij ose e jemja, sepse, edhe unë mundem mos me marrë pagën, janë mundësitë. Ministri i Financave ka deklaruar në takime zyrtare se do të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, tash, edhe sikur të mos donin ne nuk kemi qare pa e respektuar atë vendi. Nëse dëshiron Ministri i Financave me u kallxu burri ma i mire i Qeverisë e i Kosovës, zotëri Hamza le të ndihmon për me përshpejtu ligjin për nivelizimin e pagave, le ta përkrahë rritjen e pagave le të jetë më vizionar në këtë kuptim”, tha ai raporton “Gazeta Blic”

Ndërkohë, gjatë ditës së sotme, Ministri i Financave, Bedri Hamza ka refuzuar marrjen e pagës me rritje.

Këtë e ka konfirmuar për “Gazeta Blic”, këshilltari i ministrit Hamza, Lulzim Rafuna.

“Ministri Hamza nuk ka pranuar që paga e tij të rritet sipas vendimit që ka marrë kryeministri Haradinaj, ai e ka dhënë arsyeshmërinë e tij se kjo rritje duhet të ndodhë sipas ligjit dhe jo sipas vendimit që është marrë. Ministri ka thënë që nuk do ta marrë rrogën me rritje, por ashtu siç e ka marrë deri sot” tha Rafuna për “Gazeta Blic”.Ministri Hamza, edhe me herët është deklaruar kundër vendimit të qeverisë që të ketë rritje pagash për zyrtarët qeveritarë.

Reagime ndaj vendimit të Qeverisë për rritje pagash për zyrtarët qeveritarë, ka pasur nga opozita dhe nga shoqëria civile./Gazeta Blic./

Lini Një Koment