Patozi dhe Carlo, “binjakët” e përkëdhelur të Kryeministrit

Ermal Mulosmani

Dy vendime të njëpasnjëshme Qeverie, shumë mospërfillëse ndaj ndjeshmërisë së publikut (më e pakta që mund të thuhet) u morën në një hark kohor të shkurtër.

Vendimi i parë i jepte Astrit Patozit, Kryetar i Partisë Bindja Demokratike, një vilë në pronësi të Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare dhe një palestër në krah të saj.

Kaq shkruhej në vendimin e Qeverisë. Ah, harrova, aty shkruhej “në përdorim, pa shpërblim”. Pra, “me të mbaruar punë” Bindja, ajo i kthehej shtetit. Afat se kur mbaron punë nuk jepte.

Janë 882 m2 godinë, pra, afërsisht nja 8 apartamente 2+1 me sipërfaqe 110 m2 secili. Plus palestra e cila i paska edhe ajo nja 752 m katror (shih gentplanin)

Kryeministri e kishte mbështetur vendimin e tij në Ligjin “Për Partitë Politike”, nr 8580 datë 17.02. 2000, neni 22, pika b.

I çuditur se çfarë qenka ky ligj që “e detyroka” Kryeministrin t’u japë prona publike Partive Politike, që mbijnë si kërpudhat pas shiut në këtë vend të vogël e të varfër, u futa dhe e gjeta. Ja se çfarë thotë neni 22, pika b që e citon VKM-ja  në fjalë:

b) partitë parlamentare pajisen me ndërtesë për selinë e tyre qendrore dhe zyra vendore. Këtë të drejtë e ka edhe partia politike, mesatarja e votave të së cilës në tri zgjedhjet e fundit parlamentare ka qenë mbi 1 për qind në shkallë vendi.”

Këtij ligji dhe neni  i referohet edhe  Astrit Patozi në një mbrojtje qyqare, ku i quan kundërshtuesit e VKM-së : “idiotët e Lulit”. Pra, çdo shtetas që irritohet nga VKM-ja absurde e Kryeministrit (edhe unë mes tyre) qenkemi idiotë të Lulit!

Çfarë arrogance prej dështaku.

 Astrit Patozit nuk i takon të ketë seli edhe sipas këtij Ligji.

Partia Bindja Demokratike as nuk është Parti parlamentare as nuk e ka mesataren e votave mbi 1% në tri vitet e fundit.  Fare thjesht, sepse nuk ka marrë kurrë pjesë në zgjedhje parlamentare!

Atëherë pse zoti Kryeministër ia dha vilën Nr 1 një Partie inekzistente që shërbeu si fasadë për zgjedhjet më të çuditshme të ndodhura ndonjëherë?!

Logjika ta do që ia dha pikërisht për këtë shërbim.

Mirë ia dha vilën, po palestrën? A mos duhet vallë Kryeministri edhe të kujdeset për paraqitjen estetike të Kryetarit apo udhëheqësve të tjerë të Bindjes? A e kemi ne luksin të shpërdorojmë kaq keq pasurinë publike? Kush e përcakton sipërfaqen e selisë së Partisë?

Se ky mund të donte nja 4 a 5 vila aty, jo vetëm një?

Zoti Patozi, me një cinizëm akoma më  fyes, përpiqej të tregohej i pakënaqur nga vendimi në fjalë! Pra, vila e tij, atje, në afërsi të vilave gjermane dhe selisë së Ambasadës amerikane, në oazin e vetëm të gjelbëruar të Tiranës, me palestër ngjitur, nuk ia plotësoka dëshirat artistit Astrit! Sepse ai ka shije shumë të holla dhe elektorat shumë të gjerë!  Ndoshta mund të gjendej një seli qeveritare në qendër të Tiranës, fjala vjen te Blloku, ku mund të kishte edhe dushe, sauna apo xhakuzi ku të shpërlante vrerin që i buron në çdo pjesë të trupit të tij.

Ndërkohë, dje u mor vesh edhe një lajm tjetër, edhe më i dhimbshëm. Biznesmeni-gazetar, Carlo Bollino, ka përfituar nga shteti shqiptar një kontratë qeraje për 20 vjet. Ka marrë 4021 m2 truall dhe 1624 m2 ndërtesë,  për një shumë prej 1 Euro! .

Para dy javësh në një debat publik në televizion, Monika Kryemadhi, e sulmoi gazetarin në fjalë duke e akuzuar se ka konflikt interesi me Kryeministrin pasi ka marrë koncesion. Ai u mbrojt duke thënë se jo, unë kam kontratë qeraje, nuk kam koncesion, unë paguajë qera sipas ligjeve në fuqi.

Sot marrim vesh që biznesmeni -gazetar paguan 1 Euro shtetit për 20 vjet. Kjo gjë u parashkoka në ligjet shqiptare dhe VKM-të.

Për një çast bëra ca llogari. Sa do paguante një biznesmen që ka vetëm hallet e veta jo edhe ato të Kryeministrit në rast se do e merrte një pronë të tillë me qera? Po them një qera minimale prej 2 mijë Euro në muaj*12 muaj * 20 vjet i bie rreth 480,000 Euro.  

Ndërsa Carlo paguan një Euro sipas VKM-së.

Kjo është grabitje me ligj ose VKM e pronave publike.

Dhe pastaj Carlo del prapë në televizor e na shpjegon sa mirë po punon Kryeministri dhe sa keq ka pasë punuar Saliu, Luli, Monika dreqi e i biri. Se sa keq kanë punuar ata e dinë të gjithë shqiptarët Carlo. Prandaj ata janë rrugëve prej 6 vjetësh.

Por, tashmë ka ardhur koha të pyetet Kryeministri për ndonjë gjë.  Dhe ti nuk je i duhuri për të kërkuar llogari. Sepse ke përfituar me ligj dhe VKM prona publike, pa pagesë, prej tij.

Pse nuk i fitojnë të tjerët Carlo?

Prandaj Carlo, askush nuk të beson. Unë thosha me vete, po si nuk u bë një herë kundër Kryeministrit ky Carlo-ja. Po njëherë të vetme…


Lini Një Koment