PDK-ja duhet të ndalet me çdo kusht, para se të bëhet vonë!

Xhevdet POZHARI

…Jemi në fillim të vitit 2019. Pasi edhe publikisht përkrahte idenë për “korrigjimin e kufijve”, Edi Rama ia bëri edhe një shërbim ekstra Hashim Thaçit – ia uli Shpend Ahmetin në tavolinën e bisedimeve. Sot, Edi Rama është në hall veçanërisht me studentët e revoltuar. Synimi i tij për të qenë “rilindas i kombit” u tkurr në korniza të emisioneve humoristike prej nga bën thirrje mos të shikohen “kazanët mediatikë”. Nuk është larg mendsh se do të donte që në Shqipëri të ekzistonte vetëm një televizion – “ERTV”. Njëjtë si dikur në kohën e xhaxhit! Sot, ai lufton për mbijetesë politike. Ai më mirë se kushdo tjetër e din se asnjë Qeveri nuk iu ka mbijetuar protestave studentore. Dhe se në Shqipëri për herë të parë pas shumë viteve, mund të ndodhin zgjedhje të jashtëzakonshme. Derisa me intriga u mundua të imponohet edhe në skenën politke të Kosovës – gjithnjë në përputhje me interesat e Hashim Thaçit, Edi Rama u verbërua nga “madhështia” e tij duke mos e vërejtur se e ka humbur pushtetin mbi vetveten. Dhe se si i tillë, i ka të numëruara ditët në krye të Qeverisë.

PDK-ja duhet të ndalet me çdo kusht, mbi të gjitha, shkaku se kjo parti ka qenë për 3 mandate në pushtet, thënë ndryshe më shumë se një dekadë. PDK’ja arrin të mbijetojë jo shkaku i votave sa shkaku i kombinatorikave që qëllim kryesor e kanë mosdaljen në opozitë. Jo rastësisht “blerimlatifët” tash përpiqen të nxisin LDK’në me pyetje të tipit se mos e kanë Albin Kurtin kryetar, ata që, sipas logjikës së tyre, lejuan që Ramush Haradinaj të jetë kryetar i PDK’së, duke e marr mandatin e kryeministrit me 7-8 deputetë. Që të dy partitë, LDK dhe VV do të duhej ta kishin të qartë se pak i rëndësishëm është programi dhe orientimet politike kur në pyetje janë interesat shtetërore. Nëse Ramush Haradinaj do ta vinte interesin e vendit mbi atë personal, sot Hashim Thaçi do të shkarkohej nga pozita e presidentit, rrjedhimisht do të kishim një realitet të ri në Kosovë. Jo rastësisht, VV u dyfishua me votë zgjedhjet e fundit ngaqë elektorati zgjodhi ta ndëshkojë jo veç pushtetin, por edhe pabesinë që e bënë ndaj tyre ata që e nënshkruan koalcionin e mesnatës.

Sidoqoftë, e sotmja dhe e ardhmja e Kosovës mbahet dhunshëm peng nga PDK që shfrytëzon mos bashkimin e opozitës. Është në duart e kryesive të këtyre partive nëse do të vendosin njëzëri t’iu kundërvihen lojërave politke të PDK’së. Ose nëse do të duan ta vazhdojnë të ndara rrugëtimin e tyre politik në një kohë kur interesi i përgjithshëm do të duhej të vihej para atij partiak. Sigurisht që një Qeveri LDK – VV nuk do të ishte Qeveria më e mirë që do ta kishte vendi, por do të ishte një fillim i mbarë që vendi të qeveriset nga energji të reja në plotkuptimin e fjalës dhe të çlirohet nga pazargjinjet që natë e ditë thirren në emër të të mirës së vendit. E sa më shumë punojnë ata për të mirën e përgjithshme, pasuria e tyre shtohet e populli varfërohet!

Po, shqiptaria është duke e jetuar vitin 2019. Në ndërkohë mbetet të shihet se a do jetë ky viti i kthesave të gjatëpritura, viti kur do ndodh varrosja politike e atyre që trojet shqiptare i bënë të pabanueshme për rininë. E, parakusht që të ndodh kjo është të vijë një gjeneratë e re politike, e cila në mos më shumë do ta ketë kuptuar se politikanët nuk i bënë të ndryshëm partia të cilës i takojnë por ajo se sa e kanë kuptuar se nuk je i mposhtur kur bie nga pushteti, por kur e humb pushtetin mbi vetveten.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme