Për shtatë muaj, 700 kosovarë të diagnostikuar me kancer

“Mos u bëfsh për këtë vend”, ofshanë me dhimbje M.I e diagnostikuar me kancer. Zonja pesëdhjetë vjeçare nga Kaçaniku muaj më parë kishte filluar të shtonte peshë, pa e ditur se po rënkonte nga një sëmundje.

Në analizat që ajo kishte bërë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, kishte dal se po vuante nga kanceri në mitër.

Mirëpo ajo nuk ishte në dijeni për sëmundjen e tillë, pasi familjarët mundoheshin ta fshihnin vazhdimisht sëmundjen që ajo kishte.

Tretmanët mjekësore si duket ia kishin lehtësuar punën bashkë me rrezatimet në të cilat hynte me orar të caktuara.

E numri i qytetarëve që janë diagnostikuar me kancer në Kosovë po del të jetë shqetësues.

Vetëm për shtatë muajt e parë të këtij viti në Klinikën e Onkologjisë në QKUK, janë diagnostikuar 690 raste të reja me sëmundjen e kancerit, numër ky thuajse dyfish më i lartë me atë sa kë qenë në vitin e kaluar – ku për periudhën 12 mujore kanë qenë 808 raste me këtë sëmundje.

Ekrem Hyseni, drejtor i Institutit Onkologjik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka thënë se kjo Klinikë ka pasur furnizim stabil me citostatik duke u ofruar mjekim me kimioterapi dhe radioterapi pacientëve në nevojë.

“…ky shërbim ju është ofruar edhe pacientëve nga Presheva, Bujanovci, Medvexha dhe për mjekimin e kancerit të trurit kimioterapi ju është ofruar edhe për pacientët e Shqipërisë”, ka thënë Hyseni për Gazetën Fjala.

Ai shpjegon se ka raste gratë me kancer të gjirit dhe të mushkërive janë në shkallë të dytë dhe të tretë.

“Në përgjithësi rastet janë në vartësi të patologjisë dhe prijnë rastet kancer të gjirit tek gratë dhe kanceri i traktit gastrointestinal dhe i mushkërive vijnë në rend të dytë dhe tretë”, thotë Hyseni.

168 femra për 7 muaj me kancer të gjirit

Nga 690 pacientë sa janë diagnostikuar me kancer për këtë vit, 168 raste janë femra që kanë kancer të gjirit, si dhe 522 raste të tjera janë meshkuj të diagnostikuar me kancerin e gjirit.

Time Kadrija, deputete në Kuvendin e Kosovës, njëherësh edhe njohëse e çështjeve të shëndetësisë në Kosovë, ka thënë për Gazetën Fjala se janë shqetësuese shifrat e personave të prekur me këtë sëmundje.

Ajo ka thënë se pavarësisht sëmundjes, pacientët ankohen edhe për çmimet jashtëzakonisht të shtrenjta të barnave për kurimin e saj.
“Kimioterapia kushton dhe ajo duhet të sigurohet nga ana e ministrisë. Fatkeqësisht gjithmonë tek këto kimoterapi kemi problem me tenderë. Pacientët po pësojnë nga kjo qeverisje sepse po detyrohen që vet ti sigurojnë ato barna”, ka thënë ajo.

Mirëpo për ta parandaluar kancerin e gjirit tek gratë, para disa viteve është vënë në funksion mamografi mobil i cili u vu në shërbim të grave të cilat duan ta bëjnë falas kontrollin e gjirit.

Grupi i grave deputete ishte grupi që ka iniciuar blerjen e mamografit mobil, në mënyrë që të kenë qasje gjitha gratë në gjithë territorin e Kosovës të kryejnë kontrollet e gjirit.

Ardian Bicaku, koordinator për mamografin mobil, ka bërë të ditur për mediat se vetëm për gjashtë muaj ekzaminime në këtë mamograf kanë bërë kontrollin 1,254 femra.

“Numri i grave që ekzaminohen me mamografin mobil është pothuajse i barabartë me punën në QKUK. Deri tash janë diagnostikuar 5 femra me kancer në gji”, thekson Bicaku”, ka thënë ai.

Kadrija: Nuk po shohim shpresë në shëndetësinë kosovare

Pavarësisht se në klinikën e Onkologjisë në QKUK, thonë se ka terapi të mjaftueshme për të sëmurët me kancer, deputetja Time Kadrija nuk e vlerëson stabile situatën në shëndetësinë kosovare.

Ajo ka thënë se Qeveritë po thonë që e kanë prioritet shëndetësinë gjë e cila sipas saj nuk po tregon askund rezultate.

“Qeveritë po thonë që e kanë prioritet shëndetësinë por ajo që po shihet nuk po ndodhë askund. Le që është buxheti i vogël por edhe po keqpërdorohet”, thotë ajo.

Ndërkohë që ajo thotë së në pyetjet parlamentare kanë kërkuar që të bëhet një data bazë për të gjitha komunat në Kosovë, në mënyrë që të dihet numri i saktë i të sëmurëve me kancer.

Pavarësisht kësaj Kadrija thotë se popullata duhet më shumë të edukohet rreth parandalimit të kësaj sëmundjeje.

Sidoqoftë, shifrat me sëmundjen e kancerit janë në rritje dhe shqetësuese.

Numri i përgjithshëm i rasteve të reja të diagnostikuar të kancerit në botë, në vitin 2012, ishte 3.7 milionë dhe deri në vitin 2030 ky numër vlerësohet që do të rritet për 25 për qind, për të arritur në 4.6 milionë raste. /GazetaFjala