Për “tre vjet jetë”: Infrastruktura e klubet po i marrin këmbët, përfaqësuesja po vrapon

Pranimi në asociacionet ndërkombëtare ka pasur ndikimin e shpejtë e të pritur në futbollin kosovar. Kështu është vlerësuar të hënën në trevjetorin e pranimit të Kosovës në FIFA, Federatën Ndërkombëtare të Futbollit.

Më 13 maj të vitit 2016, Kosova e Gjibraltari u bënë anëtarë të FIFA-s në Kongresin e mbajtur në Meksikë. Pranimi në FIFA erdhi vetëm dhjetë ditë pas pranimit të Kosovës në UEFA, Konfederatën Evropiane të Futbollit, shkruan Koha Ditore.

Në të vërtetë, pas pranimit të vështirë në UEFA nuk priteshin telashe për pranim në FIFA dhe kjo u formalizua më 13 maj 2016. Menjëherë Kosovës iu lejua inkuadrimi në eliminatore për Botërorin e vitit 2018, ndonëse shorti ishte hedhur shumë më herët dhe grupet ishin caktuar tashmë.

“Lojtarët dhe njerëzit e Kosovës kanë pritur shumë gjatë për këtë moment. Faleminderit”, ishte deklarata e presidentit të atëhershëm të FFK-së, Fadil Vokrri, tashmë i ndjerë.

Me ndarjen nga jeta të Vokrrit është vlerësuar se futbolli kosovar ka humbur shumë, por gjendja e sportit më të popullarizuar në vend vlerësohet dukshëm më e favorshme se para 13 majit të vitit 2016. Është pritur që pranimi në UEFA e FIFA të ketë ndikim të madh pozitiv në futbollin në vend dhe kjo vlerësohet se edhe ka ndodhur. Kosova tashmë ka një përfaqësuese cilësore që vlerësohet se është pjesë e fuqishme e garës për kualifikim në “Euro 2020”. Me paraqitje në fushë e me rezultate ka fituar respektin nëpër botë. Organizimi rreth përfaqësueses vlerësohet të jetë në nivelin e kërkuar. Po ashtu janë konsoliduar dhe po kanë suksese të kohëpaskohshme edhe përfaqësueset e grupmoshave të reja, ngritja e të cilave vlerësohet e vazhdueshme. Hapa të mëdhenj para janë bërë edhe në përfaqësueset e femrave. Në infrastrukturë janë bërë investime, ndonëse ende ajo mbetet larg nivelit të kërkuar. Por Kosova në trevjetorin e pranimit në FIFA, më në fund e ka stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë që plotëson kushtet për ndeshje ndërkombëtare të përfaqësueseve e klubeve… (Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)

Lini Një Koment