Përfaqësuesit e Bujanovcit dhe Preshevës ndaras takojnë Kadri Veselin

Sakte.net / e Premte 23 Shtator / 14:16

Kryeparlamentari Kadri Veseli ka pritur sot liderët nga Lugina e Preshevës, Jonuz Musliun, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe Shaip Kamberin, kryetar i komunës së Bujanovcit.

Ata pas takimit kanë deklaruar të kenë marrë premtime për mbështetje të shqiptarëve atje, transmeton KTV. Theksuan se është koha e fundit kur Tirana dhe Prishtina të angazhohen më tepër që çështja e shqiptarëve të Luginës të trajtohet në nivel ndërkombëtar.

Jonuz Musliu tha se dihen problemet në Luginë dhe se ato nuk janë të njëjta me ato në Kosovë. Te ne problemet ende janë të pazgjidhura, pasivizimi i vendbanimeve ende po ndodh, librat shqip ende s’po lejohen të hyjnë, ka probleme me lëvizjen e lirë, investimet mungojnë. Tha se biseduam dhe mbetëm të ulemi së bashku e ta bëjmë një strategji të përbashkët për rrugëdalje.

Ndërsa Shaip Kamberi, kryetar i Komunës së Bujanocit, theksoi se është shumë e rëndësishme që të krijohet një stabilitet në Kosovë, sepse një Kosovë stabile është shpresë edhe për shqiptarët në Luginë të Preshevës. Ai po ashtu përmendi mungesën e një sinkronizimi të punëve të përbashkëta, që po shkakton telashe kur kemi nevojë për konsultime për çështje të ndryshme.

Morëm premtimin se tash e tutje do të jetë ndryshe, se institucionet e Kosovës do të angazhohen për shqiptarët atje, shtoi Kamberi. Ka disa tema që mund të potencohen edhe në dialogun në Bruksel.

Çështja e librave, e vendbanimit si dhe participimit të shqiptarëve në institucionet atje, përbëjnë probleme të veçanta. Këto janë tema që Kosova duhet t’i përfshijë në dialogun me Serbinë në Bruksel. Është e domosdoshme, ka thënë ai, që institucionet e Kosovës të bëjnë më shumë që të rikthejnë vëmendjen e faktorit ndërkombëtar te Lugina, që për momentin mungon.

Kamberi ka ritheksuar mungesën e lidhjes me autostradën, që nuk është prioritet.

Lufta në Ballkan ka përfunduar, ka thënë Kamberi, duke shtuar se e vetmja derë ku mund të trokasim është Tirana e Prishtina. Bujanovci është një pararojë e Kosovës.

Pa shqiptarët e Bujanovcit kufiri nuk do të ishte te Dheu i Bardhë po në Dobërçan. Pra është interes kombëtar që të bëhet më shumë për këtë pjesë, sepse mund të krijohet një situatë si në veri të Kosovës. Prandaj është interes kombëtar që edhe Tirana, edhe Prishtina që të bëjnë më shumë që të fillojnë të lëvizin në Luginë. Nevojitet një sensibilizim më i madh atje dhe një lobim nga Tirana e Prishtina për sensibilizimin e faktorit ndërkombëtar për problemet në Luginë. Kemi të bëjmë me tre procese, që janë nisur dhe se ka bazë të mjaftueshme juridike që gjërat të ndryshojnë, transmeton koha.net.

Por përfaqësuesit e Bujanovcit dhe Preshevës erdhën ndaras. Derisa përfaqësues të komunës së Bujanocit ishin në takim me kryetarin Veseli, në Kuvend arriti edhe kryetari i Komunës së Preshevës, Shqipërim Arifi, i cili ende nuk ka hyrë në takim te kryetari.

Të pyetur se pse të dy delegacionet nuk kanë ardhur së bashku, kryetari i Bujanocit ka thënë se kjo është çështje e komunikacionit dhe se ekipet nuk kanë mund të arrijnë në të njëjtën kohë.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme