Përleshje me armë në Prizren

Një punëtore e një dyqani është plagosur nga arma e zjarrit e përdorur gjatë një zënke mes dy personave të panjohur. Edhe një punëtor tjetër është plagosur, por atij nuk i kujtohet se nga se i janë shkaktuar plagët.

Policia e Kosovës ka njoftuar për persona të plagosur nga armët e zjarrit, të cilat janë përdorur sot gjatë një zënke në qytetin e Prizrenit.
“Rreth orës 11:30, në rrugën “Adem Jashari” në Prizren, pranë dyqanit “Sehsar” ka ndodhur një përleshje, fillimisht në rrugë e më pas është zhvendosur në brendi të lokalit”, tha zëdhënësi i Policisë Rajonale të Prizrenit, Hazir Berisha.

Zëdhënësi po ashtu njoftoi se gjatë kacafytjes njëri nga të dyshuarit ka përdorur armë zjarri, me ç‘rast predha e plumbit e ka plagosur lehtë një punëtore e cila punonte në dyqan.

Plagë të lehta ka marrë edhe një punëtor tjetër të cilit nuk i kujtohet se me se është plagosur.

Dy të plagosurit kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

Policia ka nisur me hetimin e rastit dhe kërkimin e të dyshuarve, të cilët për momentin janë të panjohur.

Lini Një Koment

Lini Një Koment

Shiko t'gjithë komentet

Veq Lexuesit e regjistruar mund të komentojnë