Përveç Pacollit, kush janë biznesmenët tjerë që mbajnë postin ‘Konsull Nderi’ të Shqipërisë në Kosovë

Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, ka marrë vendim sot për shkarkimin e biznesmenit Rrahim Pacolli nga pozita e Konsullit të Nderit të Republikës së Shqipërisë në Kosovë. Kjo u bë me arsyetimin se figura e Pacollit nuk i bën aspak nder Shqipërisë. Por, Pacolli nuk është konsulli i vetëm i Shqipërisë në Kosovë. Periskopi ju sjell të plotë listën me konsujt e nderit të Shqipërisë në Kosovë dhe anasjelltas – konsujt nderi të Kosovës në Shqipëri.

Ndonëse ende nuk është zyrtare, biznesmeni Rrahim Pacolli u shkarkua nga kryediplomati Cakaj me arsyetimin se figura e tij nuk i bën nder Shqipërisë.

Pacolli, këtë pozitë të rëndësishme nderi e me privilegje e kishte mbajtur me vite.

Rrahim Pacolli 

Ai me këtë post ka përfituar targa diplomatike të Shqipërisë si dhe ka pasur mundësinë që të kalojë kufirin, pa u kontrolluar nga autoritetet shtetërore të Kosovës dhe Shqipërisë.

Shkarkimi i tij u bë i ditur nga mediat, të cilat shkruan se veprimet e tij nuk përkojnë me imazhin e Shqipërisë, duke mos specifikuar se çka saktësisht nënkupton kjo gjë.

Por, Pacolli nuk është konsulli i vetëm i Shqipërisë në Kosovë.

Të njëjtën pozitë e gëzojnë edhe Tahir Emra, Blerim Devolli, Remzi Ejupi dhe Valon Ademi.

Emra, është Konsull nderi në Komunën e Gjakovës, Devolli është Konsull nderi në Komunën e Pejës, Ejupi është Konsull nderi në Komunën e Vushtrrisë, ndërsa Valon Ademi është Konsull nderi në Rrethin e Gjilanit. Derisa, Pacolli ishte Konsull nderi në Komunat Prizren, Dragash, Suharekë dhe Mamushë.

Por, në anën tjetër Kosova nuk ka kaq shumë konsuj nderi në Shqipëri.

Ka vetëm një. E, ai është Mentor Nazarko.

Nazarko për një kohë të gjatë ka qenë analist i shtypit dhe mediave. Ai ka pasur përvojë edhe si Këshilltar i Presidentit të Republikës si dhe drejtues i disa mediave, derisa raportohet se ka angazhime universitare në disa institucione publike dhe private të arsimit të lartë.

Vendimeve të Gent Cakajt për shkarkimin e konsujve u ka parapri edhe disa vendime të tjera të tij për këto çështje.

Gent Cakaj 

Ai kishte marrë vendim për heqjen e targave diplomatike për automjetet e Konsujve të Nderit në Shqipëri dhe pajisjen e tyre me shenjat ovale.

“Ka ardhur koha të zhbëjmë një praktikë sa origjinale në absurditetin e vet aq edhe në mospërputhje me ligjet ekzistuese në Shqipëri dhe praktikat ndërkombëtare në përgjithësi. Jemi një vend në botë që kemi 48 Konsuj Nderi të veshur me privilegje diplomatike ngaqë operojnë me targa diplomatikë”.

Sipas Cakajt, bëhej fjalë për qytetarë shqiptarë, biznesmenë të njohur, afaristë të ndryshëm, pronarë mediash, analistë politik që janë të ngarkuar në Shqipëri si Konsuj Nderi nga vende të ndryshme të botës dhe qarkullojnë me privilegje të caktuara diplomatike në Shqipëri dhe jo vetëm njësoj si Ambasadorët dhe trupi diplomatik i akredituar në Shqipëri.

Sipas ministrit në detyrë ata janë pajisur me targa CD, hyjnë dhe dalin nga kufijtë e vendit jo si qytetarë të thjeshtë shqiptarë, madje as si shumica e zyrtarëve qeveritarë, por si përfaqësuesit më të lartë diplomatik ndërkombëtar.

“Ky privilegj special, krejt unikal në Evropë, mbase dhe më gjerë është i pajustifikueshëm prandaj duhet të marrë fund” kishte thënë shefi aktual i diplomacisë shqiptare.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme