Pezullohet koncesioni i Rrugës së Kombit

17:50, 6 Shtator 2016   / sakte.net

Koncesioni i Rrugës së Kombit është pezulluar, pasi kompania e cila u rendit e dyta në tenderin që u zhvillua për këtë rrugë në korrik të këtij viti, ka depozituar ankesë në Komisionin e Prokurimit Publik, shkruan Shekulli.

Grupi i kompanive “Catalyst”, “Salillari” dhe “Kastrati”, kanë dorëzuar në KPP ankimim me argumentin se janë skualifikuar padrejtësisht.

Pezullimi i kontratës koncesionare do të jetë në fuqi deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga KPP dhe sipas Ministrisë së Transporteve është një procedurë normale.

Se çfarë do të ndodhë me koncesionit të Rrugës së Kombit, kjo do të vendoset në varësi të vendimit të Komisioni të Prokurimit Publik, që pritet të jepet brenda 10 ditësh.

Përzgjedhja fituese e kompanisë turke për të marrë me koncesion për 30 vjet autostradën Milot – Morinë, sipas Ministrisë së Transporteve është bërë për shkak se investimi i saj në vazhdimësi për mirëmbajtje dhe operim të rrugës ishte rreth 110 milionë euro më shumë se ofertuesi tjetër.

Tarifa e kalimit, që është përcaktuar për qytetarët në këtë aks është vendosur 5 euro është vendosur tarifa për qytetarët që do të kalojnë në këtë aks, dhe për këtë ka pasur kundërshtime dhe protesta.