Pezullohet përmbarimi i mjeteve të Telekomit, deri në stabilizim financiar

Bordi i përkohshëm i Telekomit të Kosovës, i kryesuar nga Mehmet Berisha, njofton se ka arritur pajtimin për pezullim të përmbarimit të mjeteve të Telekomit për një afat të pacaktuar, deri në stabilizimin e gjendjes ekonomike të kësaj kompanie publike.

Në njoftimin për media thuhet se në biseda të ndara, me kreditorët si dhe me Përmbaruesin Privat dhe me përfaqësuesit e ATK-së, u arrite marrëveshje të zhbllokohen llogaritë bankare.

“Me Administratën Tatimore janë dakorduar modalitetet e marrëveshjes, ndërsa ristrukturimet/riprogramimet e borxheve të tjera do të bëhen muajt në vijim pas stabilizimit të gjendjes financiare”, thuhet në njoftim.

Më tej thuhet se Bordi i përkohshëm i Drejtorëve, i falënderon të gjitha palët në proces, e sidomos Qeverinë dhe Ministrinë e linjës, Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit, për përkushtimin që të mbështes Telekomin e Kosovës por edhe të njoh dhe mbrojë edhe interesat e kreditorëve të kësaj kompanie publike, të cilët duke treguar mirëkuptim, po bëhen pjesë e zgjidhjes e jo pjesë e problemit.