Plagoset rëndë nga mafia një shqiptar pasi i lajmëroi në polici

Një shqiptar është plagosur rëndë dhe ndodhet në gjendje kritike, pasi është sulmuar nga një bandë, që besohet të jetë shqiptare. E tëra kjo ka ndodhur në Belgjikë

Një shqiptar u plagos rëndë gjatë të shtënave me kallashnikov mbrëmjes e së shtunës në bulevardin “Emile Bockstael” në Laeken të Belgjikës. Ai është Liridon Saljahi, sipas mediave vendase, ndërsa autorët e sulmit, që besohet se janë disa, janë ende të paidentifikuar, shkruan albinfo.ch.

Dëshmitarët kanë thënë se autorët e sulmit të ndodhur ishin disa persona. Mirëpo, sipas mediave belge dyshohet se edhe atentatorët janë shqiptarë.

Kështu, mediat shkruajnë se Liridon Saljahi ka bashkëpunuar me Policinë për shkatërrimin e një bande mafioze shqiptare që kontrollonte drogën dhe lojërat e fatit të paligjshme në zonë.

Ndaj ka dyshime të forta se atentati i është bërë për këtë qëllim. Miqtë dhe fqinjët e tij kanë thënë për mediat belge se Liridoni kohët e fundit ishte i frikësuar.

“Jam i frikësuar. Më kanë kërcënuar dhe mund të më vrasin”, rrëfen një fqinj që t’i ketë thënë Saljahi në qershor të këtij viti.

Ai gjendet në spital në gjendje të rëndë. Njëri prej katër plumbave i ka shpuar fytin.