Polici pranon se Ndrecaj u zu i gjallë!

Është diskutuar shumë herë nëse Mirsad Ndrecaj është arrestuar i gjallë e është vrarë më pas nga policia e Maqedonisë. Një dëshmi që çon në drejtim të kësaj teze është edhe ajo e një polici, në seancën e sotme gjyqësore.

Edhe pse zyrtarisht rryma dhe defektet teknike u përmendën si shkak për ndërprerje, burimet e Gazetës Lajm në Maqedoni thonë se shkaku i vërtetë ka qenë dëshmia e një polici pjesëmarrës në aksionin te “Lagja e Trimave”, i cili para gjykatës ka dhënë një dëshmi tronditëse. Ai ka pranuar para gjykatës se Mirsad Ndrecaj është arrestuar i gjallë prej policisë.

“Gjatë marrjes së kryqëzuar në pyetje, njëri prej avokatëve i bëri dëshmitarit të mbrojtur një pyetje me ‘sherr’. Avokati e pyeti policin se a e ka arrestuar ai Mirsad Ndrecajn, apo kolegu i tij. Polici u përgjigje se Mirsadin e ka arrestuar një koleg i tij. Kjo shkaktoi tollovi në gjykatë, reagoi trupi gjykues, duke kërkuar që të ndërpritet seanca dhe të fshihet dëshmia e policit”, thonë burimet e gazetës “Lajm”.
Sipas tyre, kjo dëshmi e policit (dëshmitar i mbrojtur), konfirmon dyshimet që ekzistonin në opinion që nga 10 maji.

Gazeta Lajm ka kontaktuar edhe me avokatët mbrojtës të pjesëtarëve të Grupit të Kumanovës, mirëpo ata zyrtarisht as nuk e konfirmuan e as e demantuan informacionin. Merret vesh se ditët në vijim ata do të dalin dhe do të flasin publikisht për shkaqet e vërteta për ndërprerjen e seancës së ditës së premte gjyqësore.

Ndryshe, zyrtarisht seanca u ndërpre për shkak të problemeve me korrentin në Gjykatë. Deri në ndërprerjen e seancës kishte dëshmuar vetëm një dëshmitar i mbrojtur. Pala mbrojtëse beson se në pesë seancat e ardhshme pritet të përfundojë dëgjimi i të gjithë dëshmitarëve të mbrojtur.

Lini Një Koment

Shiko t'gjithë komentet

Veq Lexuesit e regjistruar mund të komentojnë