Policia zbarkon në Kukës. Çfarë pritet të ndodhë të hënën, në Rrugën e Kombit!

Duke filluar nga ora 00:00 e ditës së hënë do të nisë pagesa për Rrugën e Kombit për të gjithë mjetet që e përdorin këtë rrugë.

Dritare.net ka qenë ditën e dielë në Kukës, dhe sipas informacioneve tona tanimë gjithçka është gati për të nisur me pagesën.

12 sportele vajtje-ardhje janë gati që në orën 00:00 të nisin punën, pasi në javën e fundit gjithçka është testuar dhe nga ana teknike është gati.

Por çfarë do të ndodhë ditën e hënë,  me datë 17 në Kukës?

Me datën 31 mars qytetarët e Kukësit, Hasit dhe Tropojës shkatërruan traun e vendosur nga firma koncensionare, duke kundërshtuar pagesën prej 5 eurosh të vendosur për kalim, për mjetet e vogla.

Edhe pse në bazë të kontratës së re mes qeverisë shqiptare dhe firmës koncensionare, pagesa është ulur në 100 lekë për banorët e zonës, dhe ata do të kenë një sërë lehtësirash tjera duket se Kukësi dhe zonat përreth janë të ndarë në lidhje me pagesën.

Sapo hyn në qytetin e Kukësit, ditën e dielë shikon  forca të shumta të policisë, dhe forcat special të cilat kanë zbarkuar 24 orë para fillimi të pagesës në Rrugën e Kombit.

(Forcat Speciale duke patrulluar në qytet)

(Policia në hyrje të qytetit )

Makina të policë patrullojnë në qytet për të vëzhguar, dhe mbajtur nën kontroll një revoltë tjetër të qytetarëve.

Dritare.net është interesuar pranë policisë së Kukësit, dhe deri në mesditën e së dielës nuk ka pasur ndonjë kërkesë për protestë në Rrugën e Kombit, por qytetarët në Kukës, dhe postime të ndryshme në rrjetet sociale flasin për një protestë ditën e hënë në orën 11:00.

Edhe pse policia nuk ka një kërkesë zyrtare, dritare.net ka mësuar se tanimë është gati plani i masave për ditën e hënë.

Kështu, sipas informacioneve tona, në rast të një proteste, protestuesit do të bllokohen tek ura e Kukësit mbi lumin Drin, disa kilometra para se të arrijnë tek trau i pagesave.

(Policia tek ura e Kukësit) 

Që nga mëngjesi i së dielës disa makina të policisë janë vendosur afër urës, dhe mësohet se ura është zgjedhur pikërisht për të bllokuar protestuesit, dhe të mos u jepet atyre mundësi kalimi alternativ, në mënyrë që situata të jetë tërësisht nën kontroll.

Lini Një Koment