Popull i moteleve dhe salloneve për dasma

Xhevdet POZHARI

Paguajmë rrymën e serbëve në veri. Paguajmë pagat e më shumë se 70 zv/ministrave. Paguajmë ilaçet e prindërve të penzionuar. Paguajmë arsyetimet e politikanëve, cilësdo parti qofshin. Me heshtjën tonë paguajmë shtrenjtë atë që një ditë do të dëmtojë rëndë dhe pakthyeshëm të ardhmen e fëmijëve tanë. Me heshtjen tonë legjitimojmë tekstet skandaloze shkollore, plan programet e deformuara dhe eksperimentale. Legjitimojmë masakrën në shëndetësinë publike. E, ndonjëherë kur zgjedhim të flasim, të përkrahim parimisht cilëndo ide apo edhe të shprehim një qëndrim të caktuar, prapë thuajse është i pashmangshëm zhgënjimi që vjen nga ata që përkohësisht shtiren se vërtetë brengosen që penzionistët të kenë pleqëri më të qetë, e brezat që vijnë të ardhme më të sigurtë.

Jemi ne – mosha e mesme -, ata që bartim mallkimin e shpresave të gabuara që i ëndërronim dje sy hapur, jemi ne ata që shënojmë kufirin ku thyhet e djeshmja me të nesërmen. Ne jemi ata që harxhuam një jetë herë duke qenë të zhurmshëm, e më shpesh duke legjitimuar këtë sistem të çoroditur ku përditshmëria mbushet me seriale turke, bisedat më të “thella intelektuale” zhvillohen në tavolinat e kafeneve, ndërsa ata që janë më të kamur më shumë brengosen për dukjen e tyre, modelin e fundit të një celulari, sesa për varfërinë e një familjari.

Përmbytjet në Shqipëri, qëndrimet e lëkundura në Kosovë, drejtësia selektive më Maqedoni, vetëm sa na ndërmendin sesa unik është mendësia ballkanike. Ndonjëherë, mbase edhe gabimisht, të mbushet mendja se nëse ndryshon qoftë edhe përkohësisht vendbanim, në cilindo shtet me një standard të konsoliduar jetësor, do të na ushtonte koka nga rregulli dhe disiplina që jetojnë banorët e shteteve që udhëhiqen nga mendje që e kanë kuptuar me kohë se atë që mbjell sot, do ta korrësh nesër.

Dhe jo rastësisht, shqiptarët “mburren” vetëm me arritje të individëve që në një mënyrë ose tjetër depërtojnë në majat e suksesit, por i cili është i zbehtë karshi lajmeve thuajse të përditshme ku nuk ka rast thuajse shqiptarët mos të jenë të përfshirë në kontrabandë me drogë, trafikim… etj.

Gradualisht, por sigurtë jemi duke u shndërruar në popull të ekstremeve. Popull ku mund ta gjesh edhe numrin e lartë të moteleve apo të salloneve të dasmave, por edhe numrin më të madh të kolegjeve private. Andaj, bizneset më fitimprurëse janë motelet ku politikanët shkojnë me dashnoret dhe sallonet e dasmave ku të rinjtë martohen para se ta braktisin vendlindjen. Vend ku mund të gjesh të diplomuar, por jo edhe profesionistë të zotë. Gradualisht shndërrohemi në popull që ose hesht, ose shpërthen. Ose ka pasanikë ose varfëri ekstreme. Dhe kjo vërehet edhe më shumë në fjalorin e politikanëve që o vlen nëse je si ata, o je pleh nëse rreshtohesh me mendimet që ndan taborri i kundërt.

Pra, gradualisht shëndrrohemi në popull që nuk e kemi problem të kacafytemi nëse dikush na provokon bindjet fetare, por nuk e kemi problem t’i votojmë ata që ndalojnë shaminë në shkolla. Jetojmë në një kohë pa kohë duke harruar se askush nuk na i kthen vitet që i çuam dëm kur heshtëm ndaj çdo standardi të mbrapshtë që imponuan ata të cilët vodhën gjithçka që i përket të sotshmes dhe tashmë na e kanë futur në hipotekë edhe të nesërmen, edhe të ardhmen fëmijëve tanë, për të cilën paguajmë kamatë të përditshme me heshtjen tonë!

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme