Presidenti Thaçi uron liderët e Maqedonisë për marrëveshjen midis tyre

Presidenti i Kosovës ka uruar liderët politikë të Maqedonisë, për arritjen e marrëveshjes midis tyre, sipas të cilës më 11 dhjetor do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme në këtë vend.

Në postimin e tij përmes rrjetit Facebook, presidenti rikujton se “Vetëm fryma e dialogut dhe mirëkuptimit mund ta çoj; një vend përpara”, qartë duke aluduar për nevojën e një dialogu të tillë edhe në vendin që ai e drejton.

Në postimin e tij, ai shkruan:
Dëshiroj të përshëndes marrëveshjen politike të arritur mes liderëve të partive kryesore të Republikës së Maqedonisë dhe të uroj që vënia në jetë e kësaj marrëveshje të mundësojë daljen nga kriza. Vetëm fryma e dialogut dhe mirëkuptimit mund ta çojë një vend përpara prandaj unë përgëzoj në mënyrë të veçantë partitë shqiptare në Maqedoni për rolin konstruktiv që kanë luajtur. Republika e Kosovës i ndjek me vëmendje zhvillimet e brendshme të shtetit mik të Maqedonisë dhe mbështet të gjitha ato hapa që shpejtojnë proceset e integrimeve Euro-Atlantike në këtë vend.