Pritet rivitalizimi i urës kryesore mbi lumin Ibër

Përfaqësues të Kompanisë “Sintek-K-ing” për Kosovë dhe Maqedoni, përfitues të tenderit për rivitalizimin e urës kryesore mbi lumin Ibër, me në krye menaxherin e projektit Bujar Zeçiri, kanë filluar parapërgatitjet për fillimin e punëve për realizimin e projektit.

Ata janë takuar afër urës, në cepin jugor të saj, me kryetarin e komunës, Agim Bahtiri dhe drejtorin e Drejtorisë për Urbanizëm, Sami Zeka, me ç’rast kanë biseduar për disa minuta për bashkëpunimin e ndërsjellë në realizimin e këtij projekti tepër të rëndësishëm për Mitrovicën dhe qytetarët e saj  dhe të shumë pritur.

“Edhe pse projekti financohet në tërësi nga BE-ja, realizimi i tij është shumë i rëndësishëm për qytetarët e të dyja anëve të lumit Ibër, andaj edhe komuna është shumë e përkushtuar që rivitalizimi i urës të bëhet në afatin e paraparë kohor dhe për këtë arsye do të jetë shumë bashkëpunuese dhe do të ofroj ndihmën e saj që kërkohet”, tha kryetari Bahtiri.

Menaxheri i projektit, Zeçiri, tha se punët do të nisin shtu sikur është vendosur në Bruksel, të dielën, më 14.08.2016, në ora 10:00 dhe se bashkëpunimi midis komunave dhe punëkryesit është i domosdoshëm, sepse punët  mund të kryhen shumë më lehtë e më mirë, nëse komunat ofrojnë mbështetjen e tyre, siç është bie fjala sigurimi i hapësirave përreth urës për makineri, objekte ndihmëse etj.

Kryetari Bahtiri dhe drejtori Zeka, premtuan mbështetjen e tyre për punëkryesin në çdo moment që ajo kërkohet, duke përfshi këtu edhe largimin nga hapësirat të bizneseve të përkohshme që pengojnë punimet.

Lini Një Koment

Shiko t'gjithë komentet

Veq Lexuesit e regjistruar mund të komentojnë