Procesi gjyqësor ndaj Ukë Rugovës, Haraqisë dhe të tjerëve për vizat pritet të vazhdojë nga ky muaj

Ka kaluar më shumë se një vit e gjysmë që Gjykata Themelore në Prishtinë, nuk e ka mbajtur asnjë seancë në rastin e njohur për dallavere me viza italiane, për të cilin akuzohen ish-deputeti Ukë Rugova, ish-ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Astrit Haraqija dhe të tjerët.Seanca e fundit në këtë rast është mbajtur më 22 nëntor të vitit 2017.Por, pritet që në qershor dhe korrik të këtij viti, të bëhet tentimi i radhës për vazhdimin e këtij gjykimi, pasi që kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica ka caktuar seancat në këtë rast.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi për “Betimi për Drejtësi”, ka konfirmuar se seancat janë caktuar për 14 qershor dhe 3 korrik 2019.Lidhur me vonesat për caktimin e seancave gjyqësore, prokurorja e rastit Florije Shamolli, ka thënë se nuk është në kompetencë të saj të vlerësojë një gjë të tillë.Ajo ka thënë se ende nuk ka marr njoftim se seancat janë caktuar për qershor dhe korrik të këtij viti.

Ndryshe, në nëntorin e vitit 2017, kur ishte mbajtur seanca e fundit, ky rast gjykohej nga misioni i EULEX-it, por pas përfundimit të mandatit, lënda ishte transferuar të vendorët.Kjo lëndë, më pas ishte caktuar te gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica, e cila nuk kishte caktuar asnjë seancë në vitin 2018, me arsyen që ky rast nuk ishte prioritet për gjykatën.

Pasi që lënda ishte transferuar te gjykatësit vendorë, në janar të vitit 2018, përpjekja e parë për mbajtje të seancës ishte bërë pas një viti, përkatësisht në janar të vitit 2019, mirëpo kjo seancë kishte dështuar në mungesë të katër të akuzuarve.Në seancën e 29 janarit, gjykatësja Krasniqi-Jashanica kishte njoftuar se do të bisedojë me prokuroren Florije Shamolli lidhur me veçimin e procedurës ndaj disa të akuzuarve, mirëpo lidhur me këtë ende nuk ka ndonjë përgjigje nga ana e gjykatës.Kurse, në seancën që ishte mbajtur në janar të vitit 2017, Rugova dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohen.Më pas, mbrojtësi i të akuzuarit Visar Beqiri, si dhe Besnik Berisha, mbrojtës i të akuzuarit Izet Beqiri, kishin bërë kërkesë në Gjykatën Supreme për mbrojtje të ligjshmërisë.Madje, avokati Beqiri e kishte kundërshtuar edhe seancën e mbajtur më 22 nëntor 2017, pasi sipas tij, nuk do të duhej të mbahej një seancë e tillë, përderisa kërkesa e tij, ende nuk ishte shqyrtuar nga Gjykata Supreme.Kërkesën për mbrojtjes të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme, ata e kishin paraqitur pasi që Gjykata e Apelit më 25 shtator 2017, kishte refuzuar kërkesën për hudhje të aktakuzës ndaj të akuzuarve në këtë rast.Kurse, Gjykata Supreme, në shkurt të vitit 2018, kishte refuzuar si të papranueshme kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë të parashtruara nga avokatët Afrim Salihu dhe Besnik Berisha.Sipas arsyetimit të vendimit të Supremes, thuhej se kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë mund të paraqitet vetëm kundër vendimit gjyqësor të formës së prerë ose kundër procedurës gjyqësore, e cila i ka paraprirë marrjes së vendimit të tillë, pas përfundimit të procedurës penale në formë të prerë.Ndërsa, në këtë rast, sipas arsyetimit, procedura nuk ka përfunduar në formë të prerë, andaj kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë është e palejuar.Seanca e fundit ndaj Ukë Rugovës dhe 19 të tjerëve ishte mbajtur më 22 nëntor të vitit 2017, por edhe ajo ishte shtyrë me kërkesë të gjykatësit Petrov Petkov, i cili kishte kërkuar veçim të procedurës për të akuzuarit Ukë Rugovën, Izet Beqirin, Florjan Petanin dhe Qefser Bahollin.Këtë propozim, e kishte kundërshtuar prokurori i atëhershëm i rastit, Alan Casnick, i cili kishte thënë se një veçim i tillë do të ishte i panevojshëm, ndërsa disa nga mbrojtësit e të akuzuarve kishin kërkuar kohë që të deklaroheshin për këtë propozim.Në bazë të kësaj, gjykatësi i atëhershëm Petkov, u kishte dhënë shtatë ditë kohë mbrojtësve të të akuzuarve, që të paraqesin mendimin e tyre me shkrim dhe pas kësaj, gjykatësi kishte thënë se do ta caktonte seancën tjetër për këtë rast.Ndryshe, edhe në seancën fillestare të mbajtur më 30 gusht të vitit 2016, Ukë Rugova dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohen. Të pafajshëm ishin deklaruar edhe në seancën e mbajtur më 11 janar të vitit 2017.Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), e ngritur më 16 maj të vitit 2016, e ngarkon Ukë Rugovën se gjatë periudhës maj 2011 deri në shkurt 2014 ka menaxhuar një grupi kriminal duke furnizuar individë me viza shengen të BE-së, nga Ambasada Italiane në Prishtinë. Të gjitha këto viza supozohet se janë marrë në mënyrë të paligjshme nëpërmjet shtrembërimit apo korrupsionit.Dispozitivi tjetër i aktakuzës ngarkon Rugovën edhe për veprën penale posedim i pa autorizuar i armëve ku në rezidencën e tij janë gjetur një pistoletë dhe dy karikator.Aktakuza që ishte përpiluar nga prokurori Allen Cansick, thekson se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka pranuar nga Prokuroria Italiane në Romë një kopje të dosjes së tyre lidhur me vizat ku përfshihet edhe emri i ish–ambasadorit Italian në Kosovë Michael Giffoni.Bashkë me Ukë Rugovën në këtë rast janë të akuzuar edhe Izet Beqiri, Florjan Petani, Qefser Baholli, Astrit Haraqija, Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Driton Voca, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami.Prokuroria pretendon se ky grup, siç e cilëson kriminal, kishte për qëllim sigurimin e përfitimit material në atë mënyrë që qytetarët të pajisen me viza shengen nga Ambasada Italiane në Prishtinë.

Lini Një Koment