Prokuroria nuk flet nëse është duke e hetuar Shpend Ahmetin për kontratat mbi vepër

Prokuroria kishte nisur hetimet pas disa të gjeturave të Auditorit Gjeneral për keqpërdorime të mundshme të autoritetit zyrtarë ndajë kryetarit Sokol Bashota, Lutfi Haziri, Mimoza Kusari Lila e ndonjë tjetri. Por, nuk dihet nëse është duke e hetuar edhe kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti për kontratat mbi vepër të cilat janë vërtetuar nga Auditori Gjeneral si të kundërligjshme.Prokuroria e shtetit nuk ka dashur të përgjigjet, nëse kanë nisur hetime ndajë Komunës së Prishtinës për kontratat të cilat Auditori i ka cilësuar të kundërligjshme, ndërkohë lidhur me të gjeturat e auditorit tashme Prokuroria ka ngritur edhe kallëzime penale dhe ka nisur hetime ndajë disa kryetarëve të Komunave.

Liridona Kozmaqi, zëdhënëse e Prokurorisë nuk ka dashur të përgjigjet për lajmi.net lidhur më këtë çështje.

Në Raportin e Auditimit i cili është publikuar në vitin 2016 për pasqyrat financiare të vitit 2015 çështja e kontratave për shërbime të veçanta  ishte adresuar si prioritet serioz për Komunën e Prishtinës.

Auditori kishte gjetur që ishin angazhuar 276 zyrtarë (siguruar nga regjistri i furnitorëve) të cilët janë paguar në vlerë prej 463,849 euro, me kontrata për shërbime të veçanta. Prej tyre, 31 të angazhuar në një projekt në mes komunës dhe HELVETAS dhe 53 punojnë në kuzhina dhe shërbim të ushqimit për institucionet parashkollore, kurse pjesa tjetër prej 192 e angazhuar në programet e përhershme të punës si ofiqarë, inspektorë, zyrtarë të lartë, regjistrues, anketues etj. pa ndonjë procedurë të rekrutimit apo prokurimit. “Punësimi i tyre është bërë në kundërshtim me nenin 31 dhe 35 të Rregullores për shpenzimin e parasë publike 01/2013, pasi që nuk ka dëshmi se komuna ka plotësuar formularin i cili specifikon se është zhvilluar testi i marrëdhënies së punës dhe dëshmi mbi përzgjedhjen e tyre sipas procedurave të zakonshme të prokurimit”, thuhet në Raportin e Auditorit, shkruan lajmi.net.

Gjithashtu, auditori kishte vërejtur që, dosjeve iu mungojnë dëshmitë për pagesën e obligimit ndaj ATK-së, deri në fund të vitit, kur komuna ka filluar ketë obligim ta proceson direkt në llogarinë e ATK-së. “Në katër raste kontratat ishin nënshkruar pasi që punëtorët kishin filluar punën, dhe 18 raste tjera, angazhimi i tyre ka vazhduar me tepër se 6 muaj; dhe Në nëntë raste nga shërbimet kontraktuale, ishin paguar shërbyes civil të komunës për angazhimin në projekte të ndryshme të ekzekutuar nga komuna në vlerë 1,500€ në kundërshtim me nenin 80 të LMFPP”, thuhet në Raport.

Lidhur më këtë, Auditori ka shfaqur rrezikun që mbulimi i pozitave të rëndësishme me marrëveshje të përkohshme rezulton me performancë dhe monitorim të dobët të stafit dhe rritë pasigurinë nëse në pozitat e tilla është angazhuar stafi adekuat dhe së këndejmi, në mungesë të konkurrencës së mirëfilltë, cilësia e shërbimeve të ofruara mund të jetë e nivelit të dobët dhe objektivat e organizatës të mos arrihen.

Andaj, kryetarit të Komunës i ishte rekomanduar që duhet t’i rishikojë nevojat reale për angazhim të punëtorëve me kontrata për shërbime të veçanta, ndërkaq, nevoja për staf shtesë për pozitat e karrierës duhet të analizohet dhe nëse rritja e numrit të stafit është e domosdoshme, kjo të inkorporohet edhe në planifikimet buxhetore. “Barrierat eventuale lidhur me rritjen e stafit, duhet të diskutohen edhe me Ministrinë e Financave dhe aktorët tjerë”.

Ndërkaq, shumica e të angazhuarve në programet e përhershme të punës si ofiqarë, inspektorë, zyrtarë të lartë, regjistrues, anketues  ishin anëtarë ose militantë të subjekt politikë të cilit i përket kryetari i Komunës. Lajmi.net më herët ka raportuar se, disa nga të punësuarit më këso lloj të kontratave kanë filluar të sistemohen edhe më kontratë të përhershme, nëpërmjet konkurseve publikë.