Puçi dhe demokracia

Autor: Fisnik Osmani

Duke përcjellë përditshmërinë e lajmeve, padyshim ngjarjet në Turqi ditëve të fundit kanë marrë fokusin në mediume dhe rrjete sociale. U fol për puç, grusht-shtet, coup d’etat, u fol për popullin që u viktimizua, por padyshim më së shumti u fol për Erdoganin.
Duke marrë parasysh fenomenin e ri të shfaqur në botën teknologjike, të ashtuquajtur infobesity ose infoxication, ku lajmet që marrim në kuantitet të madh e humbin kuptimin, bëhet e vështirë nga lexuesi të kuptohet thelbi i ngjarjes së përfolur. Po ashtu nga kuantiteti i lajmeve gjithnjë e më shumë përmblidhet lajmi deri në atë shkallë, sa të jetë vetëm një kryetitull. Në këtë rast fjala puç u stërpërdor, saqë vëmendja e lajmit nga fenomeni infixication u bart në gjithçka tjetër, përveç kuptimit të fjalës puç.
Prandaj të ndalemi pak te kjo. Puçi i ndodhë vetëm shtetit, përfshirë këtu shtetet e Lindjes së Mesme, e sidomos shtetit turk. Puçi është antidemokratik, pasi delegjitimon qeverinë, e cila është zgjedhur nga populli për të qeverisur me organet kryesore në radhitjen hierarkike të shtetit. Pra, në rast puçi postet KRYEMINISTËR, PRESIDENT dhe të gjithë udhëheqësit e resorëve ushtrues në shtet u merret ingerenca me dhunë. Kush mund ta bëje një gjë të tillë?
Një grup individësh të shpërndarë në të gjithë sektorët ekzekutivë në shtet, që janë mirë të organizuar dhe që kanë një ideologji të përbashkët. Pikësynimi i përbashkët i tyre mund të jetë edhe një antiideologji, në këtë rast rrëzimi i Erdoganit nga detyra. Pra, vetëm një organizim i mirëfilltë mund ta realizoje një paralizë të menjëhershme të funksionimit të një shteti normal demokratik, që më pastaj të mund të kthehet dhe të zëvendësohet me një udhëheqësi diktatoriale. Këtu duhet theksuar se kreu i shtetit, KRYETARI ose PRESIDENTI, i cili njëkohësisht është edhe udhëheqësi suprem i ushtrisë, është figura kyçe, e cila duhet paralizuar në rast puçi të suksesshëm. Pra, në tentim puçi, në këtë situatë të jashtëzakonshme, për të mos lejuar puç të suksesshëm, figura kyçe – kryetari i shtetit, është: nderi, siguria, mirëqenia, dinjiteti, integriteti i popullit, është vetë shteti, është vetë populli. Prandaj në rast puçi të suksesshëm thuhet se ra shteti.
Historia turke është e mbushur me shembuj të së kaluarës së shtetit të tyre kur ka pasur rrëzim të kryetarit, ndërsa çmimin më të lartë në ato raste e ka paguar populli. Prandaj personaliteti ose posti KRYETAR SHTETI është i shenjtë në një situatë të jashtëzakonshme të tentim-puçit. Pikërisht kjo vlere bazike e demokracisë është “keqkuptuar” nga mediumet e vendeve perëndimore, të cilat konsiderohen djepi i demokracisë. Në të gjitha rastet e puçeve të suksesshëm në Lindjen e Mesme, shtetet perëndimore kanë pasur qasje ose ndikim. Prandaj mund të thuhet se ky është rasti i parë i tentim-puçit ushtarak të pasuksesshëm në atë rajon. Dhe, derisa qasja e shteteve perëndimore për puçin e dështuar në Turqi duhej të ishte “ka fituar demokracia” dhe “qoftë kjo hera e fundit që arma tenton të vrasë demokracinë në një shtet të Lindjes së Mesme dhe le të jenë dënimet shembuj për të gjithë armiqtë e demokracisë”, puçi po komentohet me gjuhë keqardhjeje, duke folur për mossuksesin e puçit të vetëm në Lindje, për ta akuzuar kështu pushtetin legjitim për sjelljen e tij demokratike ndaj puçistëve. Si rrjedhojë, edhe mediumet tona dhe analistët tanë, të cilët flasin për vlera demokratike, ishin të infoxikuar nga mediumet perëndimore.
Prandaj le të kthehemi e ta analizojmë ideologjinë, organizimin dhe ekzekutorët e tentim-puçit që të mund ta kuptojmë standardin e dyfishtë të qasjes së mediave perëndimore. Organizatorë të tentim-puçit ishte organizata gyleniste në krye me klerikun Fetullah Gylen. Ajo lëvizje i referohet ideologjisë fetare dhe shtresa masovike e saj deri në vitin 2013 përbëhej nga qytetarë të thjeshtë të lidhur ideologjikisht me Islamin. Shtresa tjetër përbën njerëzit e biznesit, biznesmenë me qasje ideologjike ose interes përfitimi nga biznesi i frytshëm i rrjetit gylenist. Ndërkaq shtresa e infiltruar në shtetin turk janë krejtësisht të inkriptuar dhe, krahas ideologjisë, interesi i tyre është gradimi në poste kyçe nga shërbyes të tjerë gylenistë, që ka koston e dëgjueshmërisë ndaj organizatorit të këtij rrjetëzimi – Fetullah Gylenit. Ky numër shërbyesish gylenistë të inkriptuar dhe rrjetizimi i tij është arritur të futet në shtet që para 40 viteve, duke zënë pozita të rëndësishme në ushtri, në drejtësi, në polici, në arsim dhe në shërbimin sekret të Turqisë. Bindjet e ndryshme politike, fetare ose përkatësia nacionale a fisnore e secilit individ – ushtrues detyre në shtetin turk – nuk është dhe nuk mund të jetë e dëmshme për shtetin përderisa nuk rrjetizohet dhe urdhrat të merren nga një autoritet paralel jashtë organizimit hierarkik të shtetit. Përndryshe, bindja e secilit ose përkatësia nacionale e secilit është vetëm një pikë që i jep laramani pikturës së shtetit turk. Rrjetizimi i shërbyesve të inkriptuar gylenistë nga ana e Gylenit është i rrezikshëm, sepse mund të përdoret nga shtetet e huaja, interesat e të cilave bien në kundërshtim me interesat e shtetit turk. Aq më lehtë bëhet keqpërdorimi i këtij rrjetizimi paralel në shtet nga fakti se lideri i tyre, Gyleni, me vendbanim gjendet jashtë shtetit turk, gjegjësisht në Pensilvani të SHBA-ve.
Pas tentim-puçit të pasuksesshëm në Turqi normalisht vijon pastrimi i këtij virusi nga shteti. Është ky hap jetik për të siguruar demokratizimin e shtetit, i cili në plan afatgjatë do t’i homogjenizojë të gjitha strukturat e shtetit dhe do ta pavarësojë atë nga ndikimet e huaja. Sidoqoftë, duke marrë parasysh historinë puçiste të shtetit turk, të cilët nën pretekstin e shekullarizimit, demokratizimit, laicitetit e përparimit, e kanë bërë pikërisht të kundërtën, duke u shërbyer vetëm interesave të huaja. Prandaj dhe populli turk është mjaft i pjekur nga ato përjetime – ai doli në rrugë që edhe me gjakun e vet të mos e lejojë destabilizimin e shtetit.
Për këtë arsye edhe qasja e mediumeve perëndimore ndaj pastrimit të rrjetizimit paralel nga shteti turk shihet me dhimbje, sepse nuk do ta ketë ndikimin e së kaluarës. Sigurisht për këtë vazhdimisht në ato media bëhen komente me akuza dhe nuk flitet për fitoren e demokracisë. Ndoshta pikërisht kjo është edhe arsyeja se pse në Kosovë degradohet çdo opsion politik, i cili pavarësimin e institucioneve shtetërore e sheh si demokratizim të shtetit të Kosovës dhe si rrugëhapje për përparimin ekonomik e social.
Për fund, le të shpresojmë se analistët tanë dhe mediumet tona në të ardhmen të mos infoksikohen lehtë, por ta kërkojnë thelbin e lajmit dhe t’i qasen objektivisht rastit pa marrë parasysh vendin nga vjen ai.

Lini Një Koment

Shiko t'gjithë komentet

Veq Lexuesit e regjistruar mund të komentojnë