Qeveria e Shqipërisë miraton rritjen e pensioneve për të gjitha kategoritë

Pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi bëri me dije edhe disa nga detajet e këtij vendimi
Qeveria e Shqipërisë miratoi sot rritjen e pensioneve për 635,000 pensionistë në bazë të indeksit të çmimeve. Rritja e këtij viti është 1.6 për qind, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi bëri me dije edhe disa nga detajet e këtij vendimi.

“Rritja e pensioneve do të bëhet për të gjitha kategoritë e pensionistëve dhe ajo do të jetë në masën 1.6 për qind. Dua të theksoj gjithashtu se rritja e pensioneve të këtij viti për herë të parë është përllogaritur mbi bazën e çmimeve të shportës së posaçme të mallrave dhe shërbimeve për pensionistët. Kjo na ka dhënë mundësinë të bëjmë një rritje të pensioneve më të lartë se çmimet e inflacionit të shportës për pjesën tjetër të qytetarëve. Rritja e pensioneve vë ne jetë premtimin tonë për vëmendjen ndaj kësaj kategorie, ndaj së cilës ndjejmë detyrimin madhor të mbështetjes së vazhdueshme”, u shpreh ministri Klosi.

Sipas Klosit rritja e pensioneve, vendimi për të cilën u mor sot, do të zbatohet nga data 1 gusht 2016, ndërsa efektet financiare për zbatimin e këtij projektvendimi nga data 01.08.2016 dhe deri në 31.12 2016, llogariten në shumën 662 milionë lekë dhe do të përballohen nga fondet e planifikuara për rritjen e pensioneve në buxhetin e shtetit.

Nga rritja e pensioneve do të përfitojnë rreth 635,000 pensionistë, prej të cilëve 461,000 janë pensione qyteti, rreth 142,000 janë pensionistë që marrin pensione fshati dhe rreth 32,000 janë pensione të parakohshme suplementare.

Krahas vendimit për rritjen e pensioneve, qeveria miratoi sot edhe vendimin “Për barazimin e masës së shtesës së pensioneve të posaçme shtetërore.”

Lini Një Koment

Shiko t'gjithë komentet

Veq Lexuesit e regjistruar mund të komentojnë