Qeveria i mban jashtëligjshëm në detyrë 14 sekretarë e drejtorë të përgjithshëm

Qeveria e kryeministrit Avdullah Hoti ka vendosur të akomodojë në pozita sekretarësh vetëm njerëz të afërt me partitë e koalicionit. Ajo jashtëligjshëm është duke i mbajtur si ushtrues detyre 14 sekretarë e drejtorë agjencish, ndërsa ka shpallur konkurs për pozita sekretarësh të rinj pa i akomoduar ata që ndodhen në listën tepricë, e të cilët marrin pagat mbi 1 mijë euro pa bërë ndonjë punë.

Rasti i Ministrisë së Arsimit e demonstron qasjen partiake të qeverisë së re.

Për katër muaj kjo ministri ka paguar tre persona për pozitën e sekretarit të përgjithshëm. Meqë në shkurt të këtij viti Qeveria e Albin Kurtit kishte vendosur që ta tkurrte numrin e ministrive, me ç’rast ajo e Arsimit dhe e Inovacionit ishin bërë bashkë, sekretarët e të dyjave kishin kaluar në lista tepricë, me zotimin për t’u sistemuar në pozita ekuivalente.

Në mandatin paraprak, Ministria e Arsimit drejtohej nga Nisma, dhe sekretari Ekrem Kastrati që ishte vendosur aty, ishte i afërt me këtë parti. Ai është nga Malisheva, bastion i Nismës. Në atë mandat Ministria e Inovacionit drejtohej nga PDK-ja. Sekretar i këtij dikasteri qeveritar ishte Hajriz Koci, i afërt me këtë subjekt politik. Koci është nga Skenderaj, një bastion i PDK-së. Në Qeverinë Kurti, PDK-ja dhe Nisma ishin lënë në opozitë, ndërkaq qeveria përbëhej nga LVV-ja e LDKja. Kësaj të fundit i kishte takuar drejtimi i Ministrisë së Arsimit, në të cilën ishte fuzionuar edhe ajo e Inovacionit.

Në Ministrinë e re që drejtohej nga Hykmete Bajrami nuk kishte pasur vend për asnjërin prej sekretarëve që kishin mandat ligjor. Aty ishte caktuar ushtrues detyre Agim Bërdynaj, një aktivist i moçëm i LDK-së, i cili është nga njëra prej komunave që udhëhiqet nga kjo parti – nga Peja.

Gjërat kanë ndryshuar ndërkohë. LDK-ja ka braktisur qeverisjen me LVV-në, dhe për partner ka zgjedhur AAK-në dhe Nismën. Pas kësaj, Bërdynaj nuk është lëvizur nga vendi e Kastrati është akomoduar në një pozitë të barasvlershme me atë të sekretarit të përgjithshëm. Është bërë kryeinspektor i punës në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, dikaster qeveritar ky që drejtohet nga Skënder Reçica i Nismës. Kësisoj pa punë ka mbetur Koci, i cili shihet si njeri i PDK-së, parti në opozitë.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme