Qeveria në Beograd shqyrton sot “ultimatumet” e Kosovës

E enjte, 27 Tetor 2016 – Sakte.net

Qeveria e Serbisë sot, në një mbledhje të jashtëzakonshme, do të shqyrtojë ato që ajo i ka quajtur ultimatume të Kosovës për vazhdimin e dialogut Beograd – Prishtinë, transmeton “Koha.net”.

 

Kryenegociatorja kosovare, Edita Tahiri, dje në Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme ka thënë se në këtë fazë të bisedimeve me Serbinë në dialog është e domosdoshme përfshirja e të gjithëve, njësoj sikurse delegacioni i Vjenës. Ajo ka thënë se ka ardhur koha që me Serbinë të bisedohet për kufirin dhe për njohjen reciproke ndërmjet dy vendeve, ndërsa ka shtuar se nuk do të ketë negociata derisa Serbia të mos i zbatojë të gjitha marrëveshjet.

Zyrtarët serbë, Ivica Daçiq dhe Marko Gjuriq, këto paralajmërime i kanë quajtur ultimatume dhe kanë shtuar se nuk lejojnë dhe nuk do pranojnë kurrë kushtëzime nga Kosova “Kosova nuk mund të kushtëzojë askënd dhe me asgjë”, ka kërcënuar Daçiq.