Qeveria thotë VV rrezikon jetën e qytetarëve për interesa të veta

Qeveria e Republikës së Kosovës dënon ashpër sulmin e kryer sot nga Lëvizja Vetëvendosje, i cili ka vënë në rrezik shëndetin dhe jetën e ministrit të Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni.

Ky akt kriminal, siç e cilëson Qeveria në reagimin e saj, kryer nga aktivistë të Vetëvendosjes, është sulm kundër institucioneve të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Lëvizja Vetëvendosje me këtë veprim dëshmoi edhe njëherë se është në gjendje të rrezikojë jetën e qytetarëve të vendit dhe të përfaqësuesve legjitimë të institucioneve, me qëllim të realizimit të skenarëve të saj kundër shtetit të Kosovës.

Siç ka ndodhur edhe në muajt e kaluar, Lëvizja Vetëvendosje po angazhohet që të dëmtojë progresin e Kosovës në proceset eurointegruese, përkatësisht po bën përpjekje që të pamundësojë lëvizjen e lirë të qytetarëve në vendet e BE-së, siç ka bërë edhe në të kaluarën kur me veprimet e saj ka pasur ndikim në mos anëtarësimin e Kosovës në UNESCO dhe ka dëmtuar ndjeshëm imazhin e shtetit.

Qeveria u ka bërë thirrje organet kompetente që të marrin masa për zbardhjen e kryesve të këtij akti të shëmtuar dhe të vënë para drejtësisë kryesit dhe orkestruesit e këtyre veprimeve kundër jetës së qytetarëve dhe shtetit të Kosovës.

Lini Një Koment

Shiko t'gjithë komentet

Veq Lexuesit e regjistruar mund të komentojnë