Qeveria ua mësyn milionave të Trustit

Sakte.net / e Enjte 22 Shtator 2016 / 09:00

Ligji për Fondet Pensionale do t’i nënshtrohet një procesi ndryshimesh në Kuvend, në funksion të qasjes sa më të madhe të Qeverisë në rreth 1.4 miliardë euro që Trusti i ka në menaxhim, shkruan sot Koha Ditore.

Ndryshimet e para, në parim, do të votohen të enjten nga ligjvënësit.
Në procedurë parlamentare – mes leximit të parë dhe atij të dytë të Projektligjit që përmban ndryshimet – synohet të hartohen amendamente që cenojnë kontributet pensionale, ka thënë një burim i gazetës.

“Gjatë shqyrtimit të Projektligjit në komisionet parlamentare, Qeveria do të shtyjë amendamente, në mënyrë që paratë e Trustit të investohen në Kosovë. Qeveria synon edhe ta rrisë buxhetin me këto para”, ka thënë ky burim.

Kabineti qeveritar e ka proceduar në Kuvend një projektligj që përmban disa ndryshime të Ligjit për Fondet Pensionale, por në to nuk shpërfaqen të këtilla synime të Qeverisë.Koha.net