Qyteti që i ndaloi telefonat celularë gjatë ecjes

Kur udhëtarët të dalin nga treni në Yamato City, një lagje periferike rreth 30 kilometra larg Tokios, sytë mund t’i drejtojnë kah shenjat e bardha të pëlhurës që valojnë në korridoret e stacionit. Këto shenja janë i vetmi indikacion i dukshëm i një politike që ka rrokur vëmendjen e botës; asaj për ndalimin e përdorimin e telefonave celularë nga këmbësorët, gjatë ecjes.

Është kjo një iniciativë që, sipas zyrtarëve lokalë, është e nevojshme dhe që pritet të ketë sukses – pavarësisht se nuk parasheh ndonjë detyrim. Megjithëkëtë, shtrëngimi i qytetarëve që t’i lënë telefonat e tyre ashtu që të ecin më të sigurt rrugëve është një gjë që shumë qytete lakmojnë ta bëjnë. Por pse pret Yamato që politika e saj ta ndryshojë sjelljen e qytetarëve dhe pse faktikisht mund të funksionojë?

“Është rrezik”

Rrugët japoneze janë të mbushura me “arukisumaho”, term ky i përdorur kudo për të përshkruar këmbësorët që ecin me hapa të ngadaltë e koka të përkulura tek vrojtojnë ekranet e celularëve. Emërtimi është kombinim i fjalës “aruki” (që do të thotë ecje) dhe “sumatofon” (apo celular i mençur), por konotacioni i tyre përkon më shumë me kuptimin e “zombive që ecin”.

Në janar, Yamato City ndërmori një studim në dy lokacione dhe zbuloi se rreth 12 për qind e 6.000 këmbësorëve të regjistruar të qytetit përdorin telefonat derisa ecin.

“Kjo gjë është thjesht e rrezikshme”, ka thënë kryebashkiaku Satoru Ohki, figura kryesore prapa vendimit. Ohki fillimisht e shqyrtoi idenë me ligjvënësit lokalë dhe, pas zhvillimit të konsultimeve publike, zbuloi se tetë prej çdo dhjetë personave e mbështesin idenë, kështu që ndalesa për përdorimin e telefonave të mençur gjatë ecjes u fut në përdorim gjatë janarit.

Gjatë disa ditëve të para të ndalesës, qyteti angazhoi një grup punëtorësh me rripa të dukshëm për t’i bartur shenjat përpara stacionit Yamato, teksa një mesazh i xhiruar që e shpjegon rendin e ri transmetohet prej një CD-je. Shkaku i COVID-19, Ohki thotë se heziton të angazhojë zyrtarë të tjerë të zbatimit të ligjit nëpër rrugë, kështu që shenjat e pakta nga pëlhura në dalje të stacionit janë tani indikatori i vetëm i dukshëm i ndryshimit. “Besoj se mund të besojmë që popullata e Yamatos do ta bëjë gjënë e duhur”, ka thënë ai…

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme