Rama: Kufiri Kosovë-Shqipëri s’hapet, Mini-Shengeni hap kufijtë e gjithë rajonit

Kryeministri shqiptar Edi Rama e ka përsëritur se iniciativa e Mini-Shengenit nuk e përjashton Kosovën.

Ai ka thënë se hapja e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë, që sipas tij përmendet gjithmonë për çështje votash, nuk do të ndodhë.

“Kjo nismë është gjithëpërfshirëse dhe nuk e përjashton askënd. Nuk ka asnjë kusht”.

“Më lejoni të ju sjellë në vëmendjen tuaj një fakt shumë të thjeshtë që i shpjegon të gjitha. Ka 20 ose 30 vjet që sa herë që duhen marrë vota ose duhet bërë politikë predikohet hapja e kufirit të Shqipërisë me Kosovën”.

“Kufiri nuk hapet dhe nuk hapet jo thjeshtë sepse çohen në Beograd kundër kufirit, por sepse çohen në Washington dhe Bruksel. Sot me këtë nismë ne po themi që të hapim të gjithë kufijtë dhe nuk ka asnjë kusht”.

Rama ka thënë se do të ishte e papranueshme nëse Kosova nuk do të merrte pjesë në këto takime rajonale për shkak se Serbia do të vendoste kushte ose do të kishte klauzola që e përjshtonin Kosovën nga marrëveshjet e mundshme.

“Do të ishte për t’u konsideruar e papranueshme nëse mungesa këtu e Kosovës do të ishte rezultat i ndonjë kushti të vendosur nga Serbia. Nuk ka asnjë kusht”.

“Nuk ka asnjë klauzolë përjashtuese për asnjë nga marrëveshjet që ne biem dakord. Nëse ne biem dakord me Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi për të bërë liberalizim në çdo aspekt, atëherë ma thoni çfarë fiton Kosova duke mos ardhur derisa askush nuk thotë ‘kjo nuk duhet të bëhet me Kosovën’”.

“Kosova nuk ka nevojë për izolim, për vetpërjashtim dhe një garë të brendshme se kush është më refuzues ndaj proceseve të integrimit dhe gjithëpërfshirjes. Mbi të gjitha, Kosova nuk ka nevojë të bëjë të pakënaqur edhe ata që e mbështetën pa kushte në ditët e veta të vështira. Sot këtu janë SHBA-të, Bashkimi Europian dhe katër vende që e kanë të hapur derën edhe për dy vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor”.

“Nëse Kosova ka nevojë sot për respekt, integrim dhe zhvillim ekonomik, atëherë kjo është rruga. Rrugët e tjera të fantazive neomarksiste, të proteksionizmit absurd, të vendosjes së pikave krahasimore me tarifat e SHBA-ve dhe Kinës janë vetëvrasje në plani ekonomik dhe politik”.

Kryeministri shqiptar ka thënë se kjo iniciativë rajonale nuk po bëhet me qëllimin e përfitimit të pushtetit apo votave. Sipas tij, kjo iniciativë është për të ardhmen dhe njerëzit.

“Pa diskutim kjo që po bëjmë nuk bëhet për pushtet apo për vota. Po të ishte për pushtet dhe vota, mbase nuk do të ishim këtu sot. Kjo bëhet për të ardhmen dhe njerëzit e zakonshëm të cilët i harrojmë kur flasim për politikë”.

“Kjo nismë është për të ardhmen, nuk është një oxhak për të shkuarën. E shkuara na ndan, e ardhmja na bashkon dhe në të tashmen duhet ta kemi kurajon t’ia themi në sy njëri-tjetrit atë që mendojmë për të shkuarën, por duhet ta kemi kurajon që sy më sy të bashkëpunojmë për të ardhmen”.

“Vetëm duke bashkëpunuar për të ardhmen mund të shërojmë plagët e të shkuarës. Nëse mbytemi në acidin e të shkuarës ne vrasim të ardhmen. Dhe këtë, unë nuk kam për ta lejuar kurrë sa të jem në këtë pozicion”.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme