Rama pas takimit me Merkelin, optimist në përkrahjen e Gjermanisë për negociatat me BE-në

Kryeministri Edi Rama është prononcuar pas takimit që zhvilloi në Berlin me kancelaren gjermane, Angela Merkel.

Duke ruajtur konfidencialitetin formal të takimit, Rama tha vetëm se “kancelarja pati vlerësime shumë inkurajuese pozitive dhe ajo që është më e rëndësishme, një predispozitë shumë pozitive për ta çuar përpara këtë proces dhe për të arritur në një përfundim pozitiv, që do të thotë një mbështetje e Gjermanisë për atë çka të gjithë dëshirojmë”.

“Megjithatë, ky është një proces dhe Gjermania ka një procedurë të veçantë, sepse kalon nëpërmjet Bundestagut, nëpërmjet diskutimeve në grupe. Grupet janë grupe demokratike, kanë ide të ndryshme, kanë qasje të ndryshme, kështu që me shumë durim, ne do të vazhdojmë kontaktet dhe kjo është faza kur do të bëjmë çmos që, pavarësisht gjithë pengesave që ja kemi krijuar vetes në gjysmën e parë të këtij viti sidomos, t’ia dalim që të hyjmë në një fazë të re, krejt tjetër, të rrugës sonë europiane”, thotë Rama, përcjell Top Channel.

Kryeministri sqaron se Shqipëria ka pak në dorë sa i përket vendimi të Këshillit Evropian për negociatat, gjithsesi, Tirana po punon që zëri i Gjermanisë të jetë në favorin e saj.

“Ne po punojmë intensivisht për aq sa mund të bëjmë. Jemi të vetëdijshëm se vendimi gjithsesi ka të bëjë më pak me ne dhe me çfarë bëjmë ne dhe më shumë me vendet dhe me çfarë ato kërkojnë në radhë të parë nga BE, që, siç e ka thënë Presidenti francez, nuk funksionon me 28, si mund të funksionojë me më shumë, etj. dhe sigurisht në raport me opinionet e tyre publike që është një problem i mirëkuptueshëm më vete. Patjetër që një pozicion pozitiv i Gjermanisë do të thotë shumë. Gjermania është një zë, le të themi, jo si të gjithë të tjerët në familjen e Evropës së bashkuar dhe ne do të bëjmë çmos që ky zë të jetë në favor të Shqipërisë”, shprehet Rama.

Në fund të deklaratës, Rama thekson se negociatat për Shqipërinë nuk do të ishin dhuratë, por ajo çfarë i takon. Ai flet për një proces të kushtëzuar që do e ndjekë Shqipërinë në çdo hap.

“Një gjë është e sigurt, që, pavarësisht se nuk kemi qenë gjithmonë dakord, kemi të bëjmë me njerëz dhe me institucione që gjithmonë kanë dashur më të mirën për Shqipërinë dhe për shqiptarët pa diskutim. Kështu që jemi në një moment që atmosfera është pozitive, por duhet që të përpiqemi deri në fund dhe të përpiqemi, le të themi, që të mos marrim më sysh veten, duke u gëzuar, apo folur para kohe”, ka thënë Rama.

“Sigurisht që nuk bëhet fjalë për një dhuratë, bëhet fjalë për të marrë atë që na takon. Sigurisht nuk bëhet fjalë për ta mbyllur procesin, por bëhet fjalë për të hyrë në një fazë të re, me kushte në çdo hap, sepse i gjithë procesi është i kushtëzuar, duhet të përmbushësh gjithmonë disa kushte për të shkuar një hap më tutje, pastaj disa kushte të tjera, pastaj disa të tjera dhe llogaritë tregojnë se të gjithë vendet që kanë kaluar në këtë proces, i cili është bërë gjithmonë e më i vështirë, për shkak se Evropa, BE është bërë gjithmonë e më e ngurtë dhe ka hyrë në vështirësi të reja me vetveten, iu është dashur të përmbushin qindra e qindra kushte”, thekon kryeministri Rama.

Lini Një Koment