Rama politikë në Slloveni: Turp për BE, mban të izoluar Kosovën

Kryeministri Edi Rama i cili ndodhet në Slloveni për vizitë zyrtare ka hedhur akuza ndaj BE-së. Sipas tij është turp që nuk liberalizion vizat për shtetin e çliruar të Kosovës.

“Fakti që ka vetëm një popull, i cili nuk lëviz dot lirisht si të gjithë të tjerët në Evropë, për shkak se duhet të lëvizë me vizë në çdo vend dhe ky është populli i çliruar i Kosovës, është një turp për Bashkimin Europian”, deklaroi Rama.

Me të njëjtat tone karshi Unionin Europian, kryeministri shqiptar foli edhe për çështjen e emigrantëve.

Sipas Ramës, kriza e emigrantëve evidentoi dobësinë e BE­së duke evidentuar në këtë pikë, si faktor kyç në zgjidhje, Turqinë. “Kriza e refugjatëve ndër të tjera ka nxjerrë në pah një dobësi të madhe të BE. Ne konsiderojmë se vendet e rajonit mund të luajnë një rol të vazhdueshëm pozitiv, duke intensifikuar komunikimin dhe marrëdhëniet me vetë Turqinë, si një faktor kyç”, – deklaroi Rama.

Kryeministri shqiptar theksoi gjithashtu se Tirana zyrtare mbështet fuqimisht dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa shprehu bindjen se njohja sa më e shpejte e Kosovës nga Serbia, do të jetë në dobi të vetë Beogradit zyrtar, si dhe do të lehtësojë proceset bashkëpunuese. Nga ana tjetër kryeministri i Slloveinë, Miro Cerar, vendi i të cilit mban edhe presidencën e radhës të BE­së, tha se Sllovenia pret me padurim caktimin e datës së hapjes së negociatave të Shqipërisë. “Sllovenia aktivisht mbështet që sa më parë të caktohet data për negociatat për afrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”, – pohoi ai.