Rama: Shumë shpejt do të ulemi me Metën për koalicionin e ri

Pavarësisht kritikave dhe ankesave, koalicioni PS LSI në sytë e Kryeministrit Edi Rama, ka bërë reforma që nuk janë bërë në 20 vitet e fundit.

Në një intervistë për TVSH-në, kreu i qeverisë theksoi se duhet vlerësuar koalicioni dhe garancia që ajo ka dhënë për nisjen dhe përfundimin e një sërë reformash.

Në lidhje me vijimin e koalicionit mes PSsë dhe LSI-së Rama tha se së shpejti ai dhe Meta do të ulen në tryezë për të diskutuar në lidhje me bilancin e deritanishëm të bashkëqeverisjes, duke theksuar se tashmë ka ardhur koha që diskutimi të marrë një trajtë konkrete, ku të flitet dhe dakordësohet edhe për mandatin e ardhshëm mes dy forcave politike.

“Ka shumë kritika, rezerva, ankesa, në rutinën e përditshme për funksionimin e koalicionit, etj-etj. Por nëse do të merrnim pak distancë dhe do të shikonim të gjithë panoramën e këtyre tre viteve të para të bashkëpunimit tonë, do të shikonim që ky koalicion dhe kjo shumicë qeverisëse ka bërë reforma që nuk janë bërë për 20 e kusur vite dhe ka siguruar ecjen hap pas hapi në këtë rrugë reformash me probleme minimale, në kuptimin e kompaktësisë. Dhe kjo është një gjë shumë e madhe.

Pra, ka shumë gjëra për të përmirësuar në funksionimin e përditshëm të koalicionit, por ka një gjë të rëndësishme për të vlerësuar për këtë koalicion, që është kapacitetit për te garantuar një program serioz reformash shumë të thella qe hap pas hapi do na japin rezultate të dëshiruara dhe do e bëjnë koalicionin të vlerësohet pozitivisht përtej problematikave që, sigurisht janë e kërkojnë adresim.

 

Për sa i përket mandatit të ardhshëm, unë e kam thënë e do e përsëris që është koha dhe shumë shpejt ne do të ulemi për të diskutuar në mënyrë të hapur, gjithmonë në mënyrë të drejtpërdrejtë lidhur me bilancin e deritanishëm, lidhur me sfidat e kësaj faze të fundit të mandatit dhe lidhur me zgjedhjet e ardhshme për të pasur qartësi të plotë, jo vetëm mes nesh, por dhe me publikun mbi ecurinë e mëtejshme, për të mos konsumuar energjitë e njerëzve me gjëegjëzë që mund t’iu vlejnë vetëm atyre që jetojnë përditë me krijimtarinë e botës së informacionit, por nuk u vlejnë të tjerëve”, deklaroi Rama nga qyteti Bled i Sllovenisë.

Më tej kryeministri rikthesoi se “është koha dhe ne po presim për këtë takim”. Përpara votimit të Kushtetutës së re mes dy aleatëve kryesorë në qeveri, PS-së dhe LSI-së pati një ftohje të marrëdhënieve.

Por që u shkrinë pas me votimin e ndryshimeve kushtetuese, si dhe pas një dreke që dy drejtuesit kryesor të koalicionit Rama dhe Meta. Kryeministri po insiston në vendosjen e piketave për koalicionin e ri politike që do të përballet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2017.

LSI dhe PDIU shihen si dy partitë koalicionit të majtë, e për këtë kryesocialisti po nxiton që të konkludojë një marrëveshje parazgjedhore.