Reagim i ish – Brigadës “Agim Ramadani”: Edhe ushtarët tanë i shpallën mashtrues

SHOQATA E ISH-BRIGADËS 138. “Agim Ramadani” – KOSHARE

Të nderuar bashkëluftëtarë të Betejës së Kosharës,

Gjatë ditëve të kaluara, nëpër portale të ndryshme, kanë filluar të qarkullojnë listat e ashtuquajtura “Veteranët mashtrues”.

Në këto lista, i kanë gjetur emrat e tyre edhe shumë bashkëluftëtarë tanë, tash anëtar të Shoqatës së ish-Brigadës 138. “Agim Ramadani” – Koshare, e cila grumbullon luftëtarët e Betejës së Kosharës dhe familjarët e dëshmorëve të kësaj Brigade.

Këto lista, as publikimi i tyre, nuk kanë kurrfarë ndikimi as në statusin e luftëtarit, as në të drejtat ligjore, që rrjedhin nga ky status. Prandaj, njoftojmë bashkëluftëtarët se ata nuk kanë nevojë të ndërmarrin asnjë hap për shkak të këtyre listave.
Megjithatë, publikimi i këtyre listave, ka sjellur në situatë të palakmueshme bashkëluftëtarët tanë dhe familjet e tyre, për shkak të hutisë dhe etiketimeve që janë paraqitur si pasojë.

Ne kërkojmë publikisht nga Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, si dhe nga Komisioni i Pavarur për Media, që menjëherë të ndërmarrin hapat e duhur, që kjo dukuri të ndërpritet dhe të gjitha portalet dhe mediat në Kosovë, të heqin këto lista nga faqet e tyre, përderisa ato përmbajnë të dhëna personale, të cilat nuk duhen të bëhen publike pa lejen e tyre.

Në përputhje me Statutin e Shoqatës, ne do të ndërmarrim veprimet e duhura, me qëllim të ruajtjes së dinjitetit të luftëtarit dhe familjeve të tyre. Për të ndihmuar në këtë drejtim, ftojmë të gjithë bashkëluftëtarët që të na informojnë, nëse e kanë hasur emrin në këto lista.
Informatat na i dërgoni ne grupin Forumi: Kosharja Altari i Lirisë, ose në llogarinë individuale Forumi Kosharja, përmes aplikacionit Messenger të Facebook.

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
Të nderuar bashkëkombas, nga të gjitha trojet

Eprorët e ish-Brigadës138. “Agim Ramadani”, që kanë nënshkruar aplikacionet e secilit luftëtar të Betejës së Kosharës, e kanë bërë këtë me vetëdije dhe me ndërgjegje.

Ata dhe të gjithë anëtarët e ish-Brigadës 138. “Agim Ramadani” – Koshare, me të gjithë bagazhin intelektual dhe profesional do të vazhdojmë rrugëtimin tonë, sepse luftëtari, nuk do të ndërpres kontributin për shtetndërtim, vetëm sepse ka ardhur liria, e as nuk do të sprapset, vetëm sepse ka hasur në një pengesë, sado të jetë e madhe ajo. Ne i bëmë ballë erës së fortë të Koshares, do t’i bëjmë ballë edhe kësaj ere, e cila siç ka ardhur, edhe do të kalojë.

Secili luftëtar, qëndron i gatshëm për t’iu përgjigjur historisë. Duke qenë të bindur në vërtetësinë e proverbit popullor: “Atë që ta ngjesin të tjerët – do të hiqet; atë që ia ngjet vetit – mbetet përgjithëmonë”, asnjëri nuk do të trishtohet, as të dëshpërohet. Asnjëri nuk do të lejojë që të bëhet vegël, as të nëpërkëmbet.

Beteja e Kosharës, ka lënë prapa 114 dëshmorë. Prej tyre, 6 heronj. Luftëtarët e Betejës së Kosharës, do të vazhdojmë të jemi të qetë dhe të mbajmë kokën lartë. Do të ruajm me nder kujtimin për shokët e rënë. Do të mbajmë njëri-tjetrin dhe së bashku, do të ruajm motivin për të cilin luftuam bashkë me dëshmorët.

Ndër qëllimet e Shoqatës është edhe “promovimi i luftës së UÇK-së në përgjithësi, e në veçanti Betejës së Kosharës, si dhe promovimi i respektit qytetar ndaj vlerave të kësaj lufte dhe luftëtarëve të saj, si dhe kategorive të dala nga lufta”.

Ruajtja e dinjitetit të atyre të cilët u përgjigjën kur atdheu ishte në rrezik, e kur ka ra kushtrimi në Kosovë, shumë prej të cilëve kaluan edhe oqeanin për këtë qëllim, është detyrë kryesore e çdonjërit që ka ndërgjegje, e çdonjërit që e din se liria nuk erdhi pa luftue. Aq më tepër, këtë detyrë e kanë gazetarët, edhepse shumica prej tyre (fatmirësisht) nuk e mbajnë në mend luftën. Kjo është detyrë njerëzore, kombëtare e shtetformuese.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme