Revista prestigjioze The Economist paralajmëron gjakderdhje nëse “korrigjohen” kufijtë

Ideja e Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiqit për shkëmbim të territoreve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë si zgjidhje përfundimtare e dialogut ndërmjet dy shteteve, është kundërshtuar me të madhe nga diplomatë e liderë të ndryshëm botërorë, përfshirë këtu kancelaren gjermane, Angela Merkel, transmeton Gazeta Express.

Ndërkohë edhe prestigjiozja “The Economist”, shkruan se një ide e tillë mund të nxisë konflikte politike brenda Kosovës.

Sipas “The Economist”, nëse Kosova dhe Serbia do të kufizojnë kufijtë e tyre në linja etnike, atëherë një gjë e tillë do shkaktonte ndryshime të mëdha dhe do ta destabilizonte gjithë Ballkanin, transmeton Gazeta Express.

Në këtë shkrim thuhet së implementimi i një ideje të tillë, mund të nxiste edhe vendet tjera të rajonit për ndryshime të kufijve.

Por edhe përkundër gjithë këtyre paralajmërimeve dhe kundërshtimeve presidenti Thaçi vazhdon ta promovojë këtë ide, duke thënë se korrigjimi i kufijve do t’i hapte rrugë Kosovës për integrim në OKB, dhe do t’i mundësonte bashkimin e Luginës së Preshevës.

Për implementimin e kësaj ideje Thaçin nuk e ka mbështetur asnjë forcë politike në vend, të cilat kanë paralajmëruar protesta e rezoluta kundër një gjëje të tillë.

Kujtojmë se takimi i fundit ndërmjet Thaçit dhe Vuçiqit në Bruksel ku ishte planifikuar të flitej rreth kësaj ideje ka dështuar.

Opozita kosovare ka thënë se takimi ka dështuar për shkak të presioneve të shumta që janë bërë ndaj Thaçit, kundër idesë së prekjes së kufijve. /GazetaExpress/

 

Lini Një Koment