Rezolutat nuk ia marrin anën Thaçit në dialog

Izolimi i Thaçit në procesin e dialogut me Serbinë nuk do të ndodhë. Kryeministri Haradinaj e ka pranuar se “fuqia kushtetuese” e presidentit nuk mund të merret me akte, siç janë Projektligji për kompetencat e delegacionit shtetëror apo draftrezoluta e propozuar nga PSD-ja, shkruan sot Koha Ditore .

Thirrjet e deritashme të Haradinajt dhe partive në pushtet për konsensus dhe gjithëpërfshirje janë arsyetuar me qëllimin që të ndalet mësymja e presidentit për ndryshim kufijsh.

Dyshime për dokumentet që u interpretuan se kanë për qëllim marrjen e dialogut nga duart e presidentit ka subjekti që për shumë vjet u drejtua nga Thaçi. PDK-ja nuk pranon që të kufizohet roli i Thaçit në negociata.

Haradinaj, që në disa raste ka polemizuar me presidentin rreth idesë për ndryshim kufijsh, ka mohuar se rezolutat janë të drejtuara kundër “kompetencave” të presidentit.

“Këto interpretime (funksionet) po i bëjnë me gjasë këshilltarët e presidentit, këshilltarët e mi, ekspertët. Ne që jemi në politikë e dimë se funksionet e presidentit i jep Kushtetuta dhe ato nuk mund t’i minimizojë ndonjë akt i caktuar”, ka thënë Haradinaj nga Plemetini i Obiliqit, ku vizitoi një familje të komunitetit serb.

Lini Një Koment