Rikalo: Nuk i kam bërë keq asnjë shqiptari

“Në asnjë moment nuk i kam bërë asnjë të keqe asnjë shqiptari të Kosovës. Deri në vitin 1999 kam luajtur basketboll, kam studiuar dhe kam bërë një jetë të qetë në Prishtinë”, tha Rikalo në sqarimin e tij.

Në një kronikë të KTV-së të publikuar të mërkurën, banorë të një kompleksi banimi në “Dardani” të Prishtinës që ishin fqinj të Rikalos dhe familjes së tij, treguan se janë maltretuar prej ministrit të tashëm dhe janë çuditur kur e kanë parë atë në kabinetin qeveritar.

Por Rikalo në fjalën e tij mohoi se është sjellë keq me fqinjët.

“Asnjëherë me asnjërin prej fqinjëve nuk jam fjalosur apo hyrë në konflikt. Tani po e shoh se disa prej tyre nuk më paskan pëlqyer edhe aq, por besoj se me shumicën kam pasur respekt”, tha më tutje Rikalo.

Në njoftim Rikalo tregoi se ka punuar me disa nga personalitet e politikës kosovare.

“4 vjet kam qenë anëtar i Bordit në Fondacionin Soros së bashku me Shpend Ahmetin dhe Ilir Dedën dhe me intelektualë të tjerë të shquar nga Prishtina. Në vitin 2003 së bashku me Albin Kurtin kam marrë pjesë në themelimin e KAN-it”, shpjegoi Rikalo.

Ai më pas sqaroi pse nuk e përkrahë më Kurtin.

“Në atë kohë së bashku kemi punuar për krijimin e strategjisë së luftës jo të dhunshme, për një jetë më të mirë dhe për pajtim mes njerëzve në Kosovë. Ai më vonë ka ndryshuar bindjet e veta duke nisur një rrugë tjetër, ka formuar lëvizjen Vetëvendosje e cila përdor metoda të dhunshme për arritjen e qëllimeve politike në politikë, gjë që mua nuk më ma konvenuar”, tha Rikalo.

Ai bëri të ditur se një fotografi e vëllait të tij me veshje ushtarake është e rreme.

“Z. Zemaj deputet në Parlamentin e Kosovës, e ka gënjyer publikun kur ka shfaqur fotografinë e supozuar të vëllait tim, ku nuk gjendet ai dhe është pjesë e fushatës së qëllimshme të manipulimit të publikut”, shkroi Rikalo.

Rikalo pastaj dha informata për vëllain dhe babanë e tij.

“Dy fakte janë të rëndësishme, vëllai im nuk ka jetuar dhe nuk ka qenë i pranishëm në Kosovë gjatë viteve 1998 dhe 1999, babai im është pensionuar në vitin 1996”, tha Rikalo në deklaratën e publikuar në faqen e Ministrisë së Bujqësisë.

Ai informacionet e publikuara për të dhe familjen e tij i konsideroi të pasakta dhe qëllimkëqija.

Sot në një konferencë për gazetarë Avdullah Hoti, shef i grupit parlamentar të LDK-së i kërkoi Kryeministrit Ramush Haradinaj ta shkarkojë ministrin Rikalo, ose përndryshe paralajmëroi se do të kërkojë interpelancë për qeverinë.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme