Roja i arrestuar: Grabitësit mbanin rroba me mbishkrimin ‘Policia’

Disa detaje të hetimit për vjedhjen e 3.2 milionë USD janë zbardhur nga vetë prokuroria e Tiranës, detaje që kanë të bëjnë me veshjen e grabitësve:

Në raport thuhet: “…Një prej personave përgjegjës të SHPFS deklaron se, rreth orës 12.36, ka njoftuar Drejtorinë e Policisë për lëvizjen e vlerave monetare nga qendra e Tiranës, në drejtim të Rinasit.

Ndërkohë, makinat e blinduara, pasi kanë dalë nga qyteti, janë futur në rrugën e Rinasit. Në rrugën pranë universitetit “Epoka”, në mes të makinave të blinduara, është futur një mjet fuoristradë, e cila fillimisht i ka bllokuar rrugën makinës shoqëruese dhe më pas ka dalë pas saj. Në këtë moment, nga një rrugë dytësore, ka dalë një tjetër mjet tip fuoristradë që ka goditur makinën e blinduar, duke e ndaluar atë. Nga kjo makinë kanë dalë disa persona të maskuar dhe të  armatosur, duke qëlluar në drejtim të makinës së blinduar.

Një prej personave nën hetim deklaron se ka parë që autorët mbanin rroba me nënshkrimin “Policia”. Ndërsa personat e tjerë nën hetim deklarojnë se kanë parë që autorët ishin të veshur me rroba të errëta, kryesisht nga ato që veshin forcat speciale, por kanë deklaruar se nuk kishin fikusar nëse në vjeshjet e tyre kishte shënime.”