Romani i ri i Virgjil Muçit: Viti 2000, e fshehta e pazareve politike në hotelin “e famshëm”

Fitues i çmimit Kadare 2018/ Ka një model se si goditen plagët dhe mbrapshtitë e një vendi me mjetin e ironisë. Ky është Konica, duke na kujtuar vendin e tij, të prapambetur me përrallat nga Zullulandi, ku ndërton një fabul satirike; Aty ku e la Konica, me të njëjtin origjinalitet e të njëjtin zhgënjim therës vjen romani i ri, fitues i çmimit Kadare 2018, me shpërblimin prej 10 mijë eurosh, “Piramida e shpirtrave” e shkrimtarit Virgjil Muçi. Botuar nga Mapo Editions, romani promovohet të premten në mjediset e Universitetit Europian të Tiranës

-Përmes trillit, shkrimtari në fragmentin e mëposhtëm na përshkruan atmosferën politike të Shqipërisë së vitit 2000, ngjarje politike që vijnë reale, pas shpinës së personazheve duke përfshirë politikanë, gjyqtarë e pronarë medias përshkruar me ironi nga një ish i persekutuar politik.

Robert Farka bëri një pauzë si ai zhytësi që nxjerr kryet mbi sipërfaqen e ujit për t’u mbushur me frymë para se të zhytet sërish dhe vazhdoi:

– Para teje shpaloset një galeri personazhesh që, siç mund ta marrësh me mend, janë të ndërlidhur me fije të dukshme e të padukshme politike, ekonomike, biznesi, krushqie e interesash gjithfarësoj, madje edhe krimi, sado paradoksale dhe e pabesueshme të të tingëllojë kjo gjë.

Në fund të fundit, a nuk është edhe krimi pjesë e pandarë e jetës sonë, ashtu siç mëkati bashkëjeton me virtytin? Madje kontrasti që krijon mëkati e nxjerr edhe më në pah virtytin dhe e bën të shkëlqejë e të çmohet lart. Do të thuash ti, ç’më duhen mua këto? Ndoshta s’kanë për t’u dashur kurrë, ashtu qoftë, por një shqisë e gjashtë më thotë që s’humbet gjë prej gjëje, përkundrazi, në qoftë se di diçka më shumë rreth atij me të cilin mund ta sjellë puna ose rasti të ulesh një ditë. Dhe e fundit, mos harro që këtu je në Ballkan dhe jo në Skandinavi. Mbaje vëth në vesh këtë që të them. Po kështu mund të thuash, përse m’i thua të gjitha këto? Nuk e di, ndoshta më ke hyrë në zemër dhe dua të të ndihmoj të kuptosh disi këtë botë të koklavitur e ngatërrestare që është ky vend i vogël ku ne jetojmë,

dashurohemi, ndahemi, plakemi e vdesim një ditë së bashku me mëritë, gëzimet, simpatitë e antipatitë që ka në shpirt e mbart me vete njeriu gjatë gjithë ekzistencës. Mbi të gjitha duhet të kesh parasysh e të kuptosh një gjë në këtë të bekuar vend; kafeneja nuk është thjesht vendi për t’u englendisur e shkuar kohën, por për t’u shoqërizuar me të tjerët; është një tempull si te hebrenjtë e vjetër ky njerëzit shkonin jo vetëm të faleshin, por kryenin punët e ditës; aty lidhen kontrata, mbyllen pazare, përfundohen krushqitë, përcaktohen aleancat në zgjedhjet e ardhshme; me pak fjalë, luhen fatet e njerëzve dhe të vendit. Po zyra do të më pyesësh ti? Zyra, miku im, shërben vetëm për të të dhënë statusin që ti si individ gëzon në shoqëri, me fjalë të tjera një farë vitrine për anën formale të gjërave dhe kaq.

Kam përshtypjen që, pak a shumë, kështu funksionojnë punët edhe në klubet e famshme të shoqërisë anglosaksone, veçse atje vishen e marrin një pamje më të fisme, kanë një aureolë më të shndritshme për shkak të traditës. Me që ra fjala për klubet, e di ti që këtu kemi një klub ku mblidhen Lions-at? Ka qenë ideja dhe nisma ime krijimi i këtij klubi, duke qenë se në regjimin e kaluar ndaloheshin me ligj dhe mosbindjen mund ta paguaje me kokë.

– Kush është personi me kostum blu i ulur në tavolinë pranë vatrës? – e pyeti Mark Mara.

– Ah, po, më fal se u krodha në të thella dhe e humba fillin, – tha duke e vënë buzën në gaz Robert Farka, si për t’u shfajësuar për atë kuturisje përsiatëse të zvargur. Dhe shtoi: – Shoh që paske sy të hollë qerrata!

Mark Mara nuk e kuptoi epitetin, por nga toni i tjetrit i ra në të që duhej të ishte ndonjë nofkë dashamirëse.

– Ai është ministri i Ekonomisë, Sh. Gj., – tha Robert Farka. – Me të janë dy deputetë të partisë së tij, e cila përbën shumicën e koalicionit qeverisës. E sheh atë me kostum ngjyrë gri në tavolinën përbri? Bukur fort! Ai është kryetari i Gjykatës së Lartë, G. B., njëri prej juristëve më me emër në vend. Ndërsa personi që ka në krah ka qenë minister Drejtësie, aktualisht me profesion avokat dhe mjaft aktiv në politikë. Për të qarkullon një anekdotë që thotë se, ndërkohë që në të gjithë botën avokatët bëhen të njohur për shkak të gjyqeve që kanë fituar, ai miku është bërë i njohur për të kundërtën, domethënë ngase nuk ka fituar as edhe një gjyq.

Mark Mara qeshi dhe ktheu gotën me skoç. – Në tryezën pas tyre, ai me flokët e hedhur pas e si të lëpirë që i feksin prej xhelatinës, a si i thonë të rinjtë e sotëm, është F. F., njëri prej biznesmenëve më të pasur, pronar gazetash dhe i një stacioni televiziv, njeri me lidhje të dukshme e të padukshme me pushtetin. Ai vetë thotë me mburrje se e ka nisur nga hiçi, por gojët e liga duan e thonë se ka përdorur paratë e hierarkëve të lartë të komunizmit, të cilët, pas përmbysjes së pushtetit politik, nuk mund të dilnin sheshit e të shtinin në punë paratë e tyre, kështu që futën në lojë persona të pakomprometuar politikisht.

Ndërsa në tryezën përkundruall ndodhet rivali i tij, biznesmeni G. G., drejtor ekzekutiv i fondacionit Atdheu. Sot ka disa fondacione si puna e këtij që u marrin paratë njerëzve me interesa shumë të larta aq sa thuhet rëndom se shqiptarët e shkojnë kohën duarkryq dhe jetojnë me paratë që kanë futur në to, por për opinionin e përgjithshëm Atdheu është më i pasuri dhe më i fuqishmi ndër të gjithë. Qarkullojnë fjalë se pas tij fshihet një politikan i i veshur me pushtet. Ndonjë ditë do të shpjegoj më hollësisht se për çfarë bëhet fjalë.

Mark Mara kishte lexuar dhe e njihte teknologjinë e riciklimit të parave prej ish-funksionarëve të lartë të vendeve të Lindjes, madje puna e kishte sjellë që të takohej me disa syresh, le të themi për çështje biznesi. Gjithsesi u kish ndenjur larg, duke qenë se teknologjia e shtënë në punë për të pastruar paratë e pista shëmbëllente dhe nuk u linte gjë mangut rrugëve e mënyrave të përdorura nga Mafia dhe baronët e drogës. E gjithë kjo histori që Robert Farka ia kallëzoi me tonin e një konspiratori, sikur të bëhej fjalë për ndonjë të fshehtë që s’duhet ta dëgjonin veshët e kurrkujt, nuk i bëri përshtypje për faktin që e hasi edhe këtu. Në sytë e tij kjo ishte diçka normale, madje e pashmangshme, ashtu si virusi i HIV-it, një e keqe që gjendet mes nesh, por që me pak kujdes mund t’i bishtnosh. Siç qe shprehur një miku i tij, për të mos u infektuar nga SIDA s’është e thënë të heqësh dorë nga seksi, mjafton të hapësh sytë e të bësh kujdes.

Qysh në çastin e parë Mark Marës i pati tërhequr vëmendjen dhe bërë përshtypje ai person i veshur kokë e këmbë me të zeza që ishte ulur e rrinte vetëm në tryezë, pa u përshëndetur e shkëmbyer fjalë me kurrkënd, i cili mbante para vetes një gotë me një lëng të bardhëllemë që mendja të thoshte se ishte qumësht dhe e gjerbte heraherës, pak nga pak e me gërrqe të vogla sikur të ishte pije alkoolike.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme