Ronaldo i ka fituar të gjitha, por kërkon ende trofe

Cristiano Ronaldo ka thënë se do të pensionohej i lumtur nëse karriera e tij do të përfundonte nesër, por preferon të vazhdojë e të synojë edhe tre “Topa të Artë” dhe një Kupë të Botës.

“Unë kurrë nuk kam ëndërruar të fitoj pesë ‘Topa të Artë’. Po të përfundoja karrierën time tash do të isha shumë i lumtur. Kam fituar çdo gjë. Nëse fitoj edhe një, dy apo tre ‘Topa të Artë’ do të isha edhe më i lumtur, por nëse jo i kam fituar tashmë pesë”, ka thënë Ronaldo për kanalin brazilian në YouTube, “Central Desimpedidos”, shkruan Koha Ditore.

Vetëm një medalje në Kupën e Botës i mungon Ronaldos në koleksionin e medaljeve. Mirëpo, i pyetur se çfarë ëndrra i kanë mbetur pa realizuar, sulmuesi portugez është përgjigjur: “Sinqerisht nuk mendoj se kam ndonjë. Kam arritur çdo gjë që kam ëndërruar në futboll. Unë vërtet mendoj se kam arritur shumë gjëra të mira dhe nuk kam ndonjë ëndërr tjetër. Por, nëse më pyesni nëse dua të vazhdoj të fitoj, sigurisht se po. Qartë se do të doja të fitoja Kupën e Botës. Por nëse karriera ime mbaron tash do të isha shumë krenar. Kurrë nuk kam menduar se karriera ime do të ishte aq e mirë”.

© KOHA.