Rrahja live në televizon, Prokuroria ngre aktakuza ndaj Frashër Krasniqit e Milaim Zekës

Prokurorisë Themelore në Prishtinë i janë nevojitur më pak së një muaj që të ngrejë aktakuzë ndaj dy deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Frashër Krasniqi dhe Milaim Zeka, për shkak të përleshjes fizike. Aktakuza është mbajtur në sirtarët e prokurorisë dhe gjykatës, pa u bërë asnjëherë publike

Aktakuza ndaj deputetëve Krasniqi dhe Zeka, të cilën e ka siguruar ekskluzivisht “Betimi për Drejtësi”, është ngritur më 26 tetor 2017.

Prokuroria e ngarkon Krasniqin me veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, ndërsa Zekën me veprën penale “kanosje”.

Se ka një aktakuzë të ngritur ndaj Zekës e Krasniqit e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

Gashi, nuk ka dhënë detaje rreth procedimit të këtij procesi gjyqësor, me arsyetimin se gjykatësi i çështjes është në pushim vjetor.

Ndryshe, përleshja fizike ndaj dy të akuzuarve kishte ndodhur gjatë emisionit “Info Magazinë” në Klan Kosova, më 29 shtator 2017. Pas fyerjeve e sharjeve në mes të Krasniqit e Zekës, situata kishte eskaluar në përleshje fizike mes tyre. 

Lini Një Koment