Rrëfehen dëshmitarët e fotografisë së Rugovës me Jasharin, pse kishte dalë Ademi ta priste në aeroport presidentin

Ish mjeku i UÇK-së, Liri Loshi, përmes një postimi në facebook, ka paraqitur rrëfimet e dy njerëzve, Skender Zogaj dhe Mero Baze që ishin aty kur u realizua fotografia e presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova dhe komandantit legjendar, Adem Jashari.

“Shumë miq dhe lexues tjerë duan të dinë më shumë për lidhjet eventuale që presidenti Ibrahim Rugova mund të kishte me komandantin dhe heroin Adem Jashari. Më poshtë po jap rrëfimet e dy njerëzve, Skender Zogaj dhe Meri Baze që ishin aty kur u realizua ajo fotografi. Shpresoj se rëfimet e tyre do t’ju mjaftojnë për ta pasur të qartë të vërtetën për një çështje aq shumë të përfolur”, ka shkruar Loshi, përcjellë “Bota sot”.

Ky është postimi i plotë:

Shumë miq dhe lexues tjerë duan të dinë më shumë për lidhjet eventuale që presidenti Ibrahim Rugova mund të kishte me komandantin dhe heroin Adem Jashari. Më poshtë po jap rrëfimet e dy njerëzve, Skender Zogaj dhe Meri Baze që ishin aty kur u realizua ajo fotografi. Shpresoj se rëfimet e tyre do t’ju mjaftojnë për ta pasur të qartë të vërtetën për një çështje aq shumë të përfolur.

SKENDER ZOGAJ:

I shume i dashuri miku im, Liri Loshi, duke qene se me kishe theksuar, me shume perzemersi dhe konsiderata te larta shoqerore per Ty, po jap sqarimin rreth fotografise qe ka te beje me Adem Jaharin me Presidentin Ibrahim Rugova.

Dhe me duhet te them se, Enver Demiri eshte i informuar gabim, sepse nuk ka fotografi me Adem Jasharin qe qendron ne mes te Ibrahim Rugoves dhe Fehmi Aganit te bere ne Bulevardin e Tiranes me 1996. Jo, nuk ka forografi te tille. Eshte vetem fotografia me origjinalitet të pakontestueshëm, që është bë në Aeroportin e Tiranës, me 12 mars 1993, gjatë vizitës së Presidentit Rugova në Shqipëri dhe ka te beje me takimin me gazetarë, ku jane te pranishem edhe Mehmet Kraja, si përfaqësues i Zyrës së R.Kosovës, unë si bashkëpunëtor ndihmës i z.Kraja, shoqeruesi i Presidentit z.Adnan Merovci, Adem Jashari, që në ate kohe ne Shqipëri ndodhej per stërvitje ushtarake, Binak Kelmendi gazetar i “Rilindjes” dhe te tjere gazetare qe ne Rinas ishim zyrtarisht, për pritjen e Presidentit Rugova. Rreth kesaj fotografie eshte folur shume neper disa koluare jo shume dashamirese per te verteten e fotografise dhe te aferisise se Ademit me Presidentin.

Në pritje Ademi ishte me kerkesen e tij dhe fort i gëzuar për ardhjen e Presidentit, që e quante “Komandanti”! Këtë e di saktë, sepse në Tiranë me Adem Jasharin më ka rënë të takohen dhe bisedoj disa herë, shumë miqësisht, në zyrat e Përfaqësisë së Kosovës qe asaj kohe ka qene e vendosur në godinën e Muzeut Kombëtar, dhe jasht tyre. Kjo është e vërteta e kësaj fotografie, që padyshim është historike, sepse i ka dy burrat më emblematikë të historisë së Kosovës, Ibrahim Rugovën dhe Adem Jasharin.

MERO BAZE:

Tek grumbulli i gazetarëve përballë, nga e majta në të djathtë janë Arben Popoci i ulur, për shkak se fillonte kamera e TVSH. Krah tij është dhe Binak Kelmendi që i duket vetëm pak koka, në atë kohë redaktor i Rilindjes së Zvicrës e cila sapo ishte transferuar në Tiranë, pastaj jam unë, që më duket “koka me cepa” dhe pak flokë (kisha pak flokë atëherë), gazetari i TVSH Bujar Muharremi, që nuk jeton më dhe dikush i ulur para që nuk e mbaj mend kush ka qenë.

E vërteta është se në atë kohë Adem Jashari vinte në Tiranë dhe kishte lidhje me zyrën e Kosovës për shkak të financimit që ajo bënte për trupat që stërviteshin nën mbikëqyrjen e shtetit shqiptar në një kazermë në Labinot dhe në Shkollën e Bashkuar. Atëherë ai nuk ishte njeriu i famshëm që është sot, dhe nuk ka dal aty se kishte lidhje të ngushta me Rugovën, por ka dal se e respektonte Rugovën si President të Kosovës dhe donte ta priste si gjithë të tjerët. Kjo nuk ja ul vlerat aktit të tij heroik dhe familjes së tij, por as nuk i shton ndonjë gjë Rugovës, duke e bërë me zor bashkëluftëtarë me Adem Jasharin. Është mirë që foto të tilla të mos instrumentalizohen për propagandë, por të përdoren për të vërtetat historike.

Unë që e kisha parë disa herë Adem Jasharin, kur vinte tek redaksia e “Rilindjes” në Tiranë, apo tek “Bar Kumanova” në Tiranë, kur ndodhi tragjedia më 6 mars dhe po bëja lajmin për familjen Jashari, nuk e lidhja dot emrin me fytyrën dhe nuk e dija se bëhej fjalë pikërisht për këtë person. Më vonë kur pashë fotot dhe mu kujtua kush ishte, krijova një ide për të.

Prandaj është mirë që me këtë foto të mos prodhohen legjenda të panevojshme. Me atë që ka bërë Familja Jashari ka hyrë në historinë e kombit tonë si një familje martire që ka vënë gjakun në themelet e Kosovës, dhe me aq sa ka bërë Ibrahim Rugova ka hyrë në historinë e Kosovës si Ati shtetformues i saj. Kjo foto thjeshtë tregon se ata të dy secili në punën e vet bënin diçka për Kosovën, por jo se ishin bashkëpuntorë apo dy figura legjendare që bashkëpunonin “njëri me luftë, e tjetri me paqe”. Kanë bërë boll secili më vete. Mos i bëni bashkë me zor kot. I ka bërë historia!

Lini Një Koment